Edhe pas 7 vitesh që nga ngritja e aktakuzës, dështon të nisë gjykimi për lëndim të rëndë trupor

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – Pas dy ditësh, përkatësisht më 24 tetor të këtij viti bëhen 7 vite që kur është ngritur aktakuza ndaj Gjelosh Lleshit dhe Prenë Palucajt, të akuzuar se në bashkëkryerje, në shkurt të vitit 2014 në Gjakovë, i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore Dibran Hoxhës.

Pavarësisht kësaj, Gjykata Themelore në Gjakovë ende nuk ka arritur që ta nisë gjykimin e këtij rasti.

Kjo pasi të premten, përsëri dështoi të mbahet seanca fillestare, për shkak të mungesës së të akuzuarit Prenë Palucaj, mbrojtësit të të akuzuarit Lleshi, avokatit Ergjyment Barbullushit dhe të dëmtuarit Dibran Hoxha.

Gjykatësi Drilon Haraçia tha se në fletëkthesën e thirrjes së dërguar për të akuzuarin Palucaj thuhet se e ka pranuar babai i tij, mirëpo se i njëjti nuk e ka arsyetuar mungesën e tij.

Ndërsa, gjykatësi tha se avokati Barbullushi ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, por që mungesën e tij nuk e ka arsyetuar. E për të dëmtuarin Hoxha tha se nuk ka prova që është ftuar në mënyrë të rregullt.

Në këto rrethana, kjo seancë ka dështuar të mbahet dhe e radhës është caktuar që të mbahet më 19 nëntor 2021. Gjykatësi Haraçia tha se ndaj të akuzuarit Palucaj do të lëshohet urdhëresë për sjellje me forcë.

Ndryshe, këtë rast para se ta trashëgonte gjykatësi i tanishëm, Drilon Haraçia, më parë e ka trajtuar ish-gjykatësi Gëzim Pozhegu.

Në këtë rast i akuzuar për veprën penale të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm ka qenë edhe i akuzuari Palush Thaqi, mirëpo ndaj të njëjtit është veçuar procedura.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Palush Thaqi akuzohet se më 10 shkurt 2014, rreth orës 14:30, në Gjakovë në Stacionin e Autobusëve ka përdorur armën-pistoletën me ngjyrë të zezë në mënyrë kërcënuese ndaj të dëmtuarit Dibran Hoxha, në atë mënyrë që pasi axha i tij Prenë Thaqi ka pasur një mosmarrëveshje me të dëmtuarin, i akuzuari ka nxjerrë pistoletën e ka vendosur në kokën e të dëmtuarit dhe të njëjtin e ka grushtuar, me çka i shkakton lëndime të rënda trupor.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 2 të KPRK-së, vepër kjo që dënohet me gjobë deri në dhjetëmijë (10.000) euro dhe me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

Tutje, sipas aktakuzës, Gjelosh Lleshi dhe Prenë Palucaj po akuzohen se me datë, kohë dhe vend të përshkruar si më lartë, pasi që i akuzuari i parë i përmendur e nxjerrë pistoletën dhe më pas e grushton të dëmtuarin, i akuzuari Lleshi në atë zënkë e nxjerrë një dru dhe fillon të sjellë mbi të dëmtuarin, më pas edhe i akuzuari Palucaj nxjerrë një shufër metali dhe gjithashtu fillon e godet të dëmtuarin, me çka i shkaktojnë lëndime trupore në kokë, krahë, duar dhe në tërësi në trup, e që sipas ekspertit mjekësor hyjnë në kategorinë e lëndimeve të rënda.

Për këtë, ata po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 189, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, vepër kjo që dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë