Edhe në rigjykim, pranon fajësinë i akuzuari se kishte dhënë 300 euro ryshfet për t’u pajisur me patentë shofer

Raporton: Doruntina MEHMETI

Mitrovicë- Hasan Selimi, i akuzuar për dhënie ryshfeti, edhe në rigjykim e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

Këtë deklarim, i akuzuari Selimi e ka dhënë të enjten në shqyrtimin fillestar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I njëjti, nga Gjykata Themelore në Mitrovicë më 18 shkurt 2022 ishte dënuar me një vit burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë, pasi kishte pranuar fajësinë për veprën penale “Dhënie ryshfeti”.

Kundër këtij aktgjykimi, në afatin ligjor ankesë kanë ushtruar Prokuroria Themelore në Mitrovicë, për shkak të shkeljeve të ligjit penal dhe vendimit mbi sanksionin penal, duke propozuar që Gjykata e Apelit të aprovojë ankesën, ndërsa aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë sa i përket vendimit mbi dënim dhe të pandehurit t’i shqiptojë dënim me gjobë më të lartë ose dënim me burgim efektiv.

Po ashtu, në afatin ligjor ankesë kundër aktgjykimit ka ushtruar i akuzuari Hasan Selimi, për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal, duke propozuar që Gjykata e Apelit, të aprovojë ankesën si të bazuar dhe ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar lidhur me lartësinë e dënimit dhe të bëjë zbutjen e dënimit nën minimumin e paraparë ligjor sipas dispozitave të KPRK-së.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar sipas detyrës zyrtare dhe pse aktgjykimi i shkallës së parë nuk ankimohet për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, aktgjykimi i ankimuar është përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, për shkak se sikurse dispozitivi i aktgjykimit ashtu edhe arsyetimi kanë qenë të paqartë dhe jo në harmoni me dispozitat ligjore të parapara për këtë vepër penale.

Sipas Apelit, aktgjykimi gjithashtu nuk është përpiluar konform dispozitës së nenit 370, par.7 të KPPK-së, e cila përfshin dhe zbatimin e dispozitave të caktuara të ligjit penal ndaj të akuzuarit dhe veprës së tij, shkelje këto që kushtëzuan edhe anulimin e aktgjykimit.

Si rrjedhojë, kolegji ka gjetur se janë të bazuara pretendimet e prokurorisë se gjykata e shkallës së parë ka bërë shkeljen e Ligjit Penal nga neni 385, par.1, nënpar.1.5 të KPPK-së, kur të akuzuarit i ka shqiptuar dënim me burg kusht dhe dënim me gjobë, ngase në rastin konkret është dashur të shqiptojë njërin nga këto dënime.

Ndryshe, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, për veprat penale dhënie e marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumentit zyrtar në të njëjtin akt akuzues me Hasan Selimin, ngarkohen edhe Vlora Ibrahimi, Donika Sylejmani dhe Kujtim Shaqiri, ku për këtë të fundit është veçuar procedura që në nëntor 2021, ndërsa për dy të akuzuarat Ibrahimi dhe Sylejmani nga gjyqtari i rastit Radosllav Markoviq u veçua procedura të mërkurën gjatë shqyrtimit gjyqësor, në të cilin munguan dy të lartpërmendurat.

Kështu, në shqyrtimin fillestar të rigjykimit, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Sahit Tmava, i akuzuari Selimi përsëri e pranoi fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

I njëjti i premtoi gjykatës se asnjëherë më nuk do të përsërisë vepra të tilla, se është penduar dhe i kërkoi gjykatës që t’i shqiptojë një dënim sa më të butë, pasi është i gjendjes së dobët ekonomike dhe përdorues i skemës sociale.

Pas propozimit të prokurorit për aprovimin e pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarit, pasi pranimi i fajësisë është në përputhje me shkresat e lëndës dhe është bërë në mënyrë vullnetare, gjyqtari i rastit Radosllav Markoviq aprovoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari.

I njëjti konstatoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet në orën 14:00 të ditës së sotme.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 9 qershor 2021, kishte ngritur aktakuzë kundër Hasan Selimit, Vlora Ibrahimit, Donika Sylejmanit dhe Kujtim Shaqirit.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, Hasan Selimi po akuzohet se nga fundi i muajit tetor të vitit 2016, i ka dhënë para në vlerë prej 300 euro personit zyrtar me qëllim që i njëjti të mos e kryejë veprimin zyrtar të cilin duhej ta kryente.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Hasan Selimi, zyrtares Vlora Ibrahimi si pronare e autoshkollës “Klinton” dhe NN personit ua jep 300 euro para me qëllim që i njëjti të kryejë procedurat dhe të pajiset me patentë shofer të kategorisë “B” në mënyrë të kundërligjshme, pa mbajtur orë praktike dhe teorike e po ashtu të mos hyjë në test teorik, ndërsa u premtoi se do t’ua japë edhe 500 euro tjera kur të pajiset me patentë shofer.

Më këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënie e ryshfetit” nga neni 429, par.1 të Kodit Penal.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, Vlora Ibrahimi po akuzohet se në cilësinë e pronares së autoshkollës “Klinton” në bashkëpunim me NN personin me qëllim që të fitojë në mënyrë të kundërligjshme, ka pranuar para në cilësinë e personit zyrtar në bashkëpunim me NN personin, shumën e parave në vlerë prej 300 euro si dhe ka pranuar premtimin se të njëjtit do të pranojnë edhe 500 euro të tjera në mënyrë që mos të veprojnë në pajtim me detyrën e tyre zyrtare.

Tutje në aktakuzë thuhet se Vlora Ibrahimi ka regjistruar në mënyrë të kundërligjshme si kandidat të kategorisë “B” për patentë shofer personin Hasan Selimi dhe të njëjtit në këmbim të parave të lartcekura i ka mundësuar mbajtjen e orëve teorike dhe praktike si dhe ka lëshuar dokumentin “Libreza e kandidatit” për aftësim të kandidatit, më 25 janar 2016, ku aty thekson se kandidati ka mbajtur orët praktike më 18, 19, 20, 21, 22, 23, 24, 25, 26, 27, 28 dhe 29 nëntor 2016 si dhe orët teorike të mbajtura më 18, 19, 20, 21 dhe 22 nëntor 2016, duke i vërtetuar me nënshkrimin e vet.

Gjithnjë sipas aktakuzës, e njëjta akuzohet se në fund ka lëshuar dokumentin “Vërtetim” më 30 nëntor 2016, mbi aftësimin e kandidatit Hasan Selimi, ku me këto veprime e njëjta ka përgatitur dosjen si të vërtetë për ta proceduar në njësinë e patentë shoferëve në Mitrovicë.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprat penale “Marrje e ryshfetit” nga neni 428, par.1 të KPRK, dhe veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” nga neni 434, par.1 të Kodit Penal.

Ndërsa, në dispozitivin e tretë të aktakuzës Donika Sylejmani po akuzohet se në cilësi të personit zyrtar si instruktore e vozitjes pranë autoshkolles “Klinton” në Mitrovicë në dokumentin “Libreza e kandidatit” për aftësimin e kandidatit të 25 janarit 2016, ka theksuar se kandidati Hasan Selimi ka mbajtur orët praktike më 18, 19, 20, 21, 22, 23, 24, 25, 26, 27, 28, dhe 29 nëntor 2016, duke e vërtetuar me nënshkrimin e vet si dhe në dokumentin “Vërtetim” të 30 nëntorit 2016, mbi aftësimin e kandidatit Hasan Selimi, duke nënshkruar se është aftësuar kandidati Selimi, ku ky i fundit në polici ka mohuar se ka mbajtur këto orë praktike.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve zyrtare” nga neni 434, par.1 të Kodit Penal.

Ndërsa, në dispozitivin e katërt të aktakuzës, Kujtim Shaqiri po akuzohet se më 31 janar 2017, në njësinë e patentë shoferëve në Mitrovicë me rastin e organizimit të dhënies së provimit teorik për patentë shofer, ka tentuar të vë në lajthim organin kompetent që në një dokument publik të vërtetojë një çështje të pavërtetë.

Në atë mënyrë që me dokumentin e rrejshëm – letërnjoftim të falsifikuar në të cilin ka qenë e vendosur fotografia e tij, ndërsa të dhënat personale kanë qenë të Hasan Selimit, i njëjti kishte tentuar të hyjë në test teorik për kategorinë “B” në njësinë e patentë shoferëve në Mitrovicë për kandidatin Hasan Selimi, me qëllim që personi zyrtar të vendos në regjistër kinse Selimi ka kryer testin teorik.

Mirëpo, thuhet se gjatë kontrollit së ekzaminerëve, është vërejtur dhe i njëjti ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” nga neni 403, par.1 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal.

Kujtim Shaqiri, ngarkohet se me datën dhe vendin e njëjtë si më lart me dije ka përdor dokumentin publik – Letërnjoftimin e falsifikuar në emër të Hasan Selimit, ashtu që të njëjtin ia ka prezantuar personit zyrtar pranë njësisë së patentë shoferëve në Mitrovicë edhe pse e ka ditur se i njëjti është i falsifikuar.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 389, par.2 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë