Edhe në rigjykim dënohet me një vit burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë i akuzuari për dhënie ryshfeti

Raporton: Doruntina MEHMETI

Mitrovicë- Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka shpallur fajtor duke e dënuar me një vit burgim me kusht dhe 1000 euro gjobë të akuzuarin Hasan Selimi, i cili në shqyrtimin fillestar pranoi fajësinë për veprën penale “Dhënie ryshfeti”, me të cilën ngarkohej nga prokuroria.

Vendimi është shpallur të enjten nga gjyqtari i rastit Radosllav Markoviq, pasi Gjykata e Apelit me vendimin e datës 23 qershor 2022 rastin e kishte kthyer në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarit Selimi i është shqiptuar dënimi i njëjtë, sikur më 18 shkurt 2022, kur nga gjyqtari Markoviq ishte shpallur fajtor dhe dënuar me një vit burgim dhe 1 mijë euro gjobë.

Kundër këtij aktgjykimi, në afatin ligjor ankesë kanë ushtruar Prokuroria Themelore në Mitrovicë, për shkak të shkeljeve të ligjit penal dhe vendimit mbi sanksionin penal, duke propozuar që Gjykata e Apelit të aprovojë ankesën, ndërsa aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë sa i përket vendimit mbi dënim dhe të pandehurit t’i shqiptojë dënim me gjobë më të lartë ose dënim me burgim efektiv.

Po ashtu, në afatin ligjor ankesë kundër aktgjykimit ka ushtruar i akuzuari Hasan Selimi, për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal, duke propozuar që Gjykata e Apelit, të aprovojë ankesën si të bazuar dhe ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar lidhur me lartësinë e dënimit dhe të bëjë zbutjen e dënimit nën minimumin e paraparë ligjor sipas dispozitave të KPRK-së.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar sipas detyrës zyrtare dhe pse aktgjykimi i shkallës së parë nuk ankimohet për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, aktgjykimi i ankimuar është përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, për shkak se sikurse dispozitivi i aktgjykimit ashtu edhe arsyetimi kanë qenë të paqartë dhe jo në harmoni me dispozitat ligjore të parapara për këtë vepër penale.

Sipas Apelit, aktgjykimi gjithashtu nuk është përpiluar konform dispozitës së nenit 370, par.7 të KPPK-së, e cila përfshin dhe zbatimin e dispozitave të caktuara të ligjit penal ndaj të akuzuarit dhe veprës së tij, shkelje këto që kushtëzuan edhe anulimin e aktgjykimit.

Si rrjedhojë, kolegji ka gjetur se janë të bazuara pretendimet e prokurorisë se gjykata e shkallës së parë ka bërë shkeljen e Ligjit Penal nga neni 385, par.1, nënpar.1.5 të KPPK-së, kur të akuzuarit i ka shqiptuar dënim me burgim me kusht dhe dënim me gjobë, ngase në rastin konkret është dashur të shqiptojë njërin nga këto dënime.

“Nga arsyet e lartcekura kolegji gjen se përkitazi me dënimin e shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë me gjobë dhe me burg, në referim të dispozitës së nenit 429 par.1 të KPRK-së, është shkelur ligji penal në dëm të akuzuarit, pasi që dispozita e lartcekur për këtë vepër penale parasheh dënim me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet, jo të dy dënimet siç ka vepruar gjykata e shkallës së pare” thuhet tutje në vendim.

Ndryshe, gjyqtari Markoviq ka konstatuar se ka vendosur në mënyrë të njëjtë për arsye se versioni i gjuhës serbe i Kodit Penal të vitit 2013, për veprën penale “Dhënia e ryshfetit” parasheh dy lloje të dënimeve, pra dënim me burgim dhe dënim me gjobë.

Ndërsa, gjyqtari Markoviq shqiptoi dënimin e njejtë me atë paraprak, me një vit burgim me kusht, dënim ky që nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afat prej 2 viteve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit nuk do të kryej ndonjë vepër tjetër penale, të natyrës së njëjtë apo më të rëndë.

Në të njëjtën kohë të akuzuarit iu shqiptua dënim me gjobë prej 1000 eurove.

Dënimin me gjobë prej 1000 eurove i pandehuri është i obliguar ta paguaj në afat prej 15 ditëve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Nëse i akuzuari nuk e paguan dënimin me gjobë prej 1000 eurove, gjykata do ta zëvendësojë dënimin me gjobë në dënim me burgim, nga ku çdo ditë e kaluar në burg do të llogaritet 20 euro.

Tutje, i pandehuri u obligua që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj vlerën prej 50 eurove, e shumën e njëjtë u obligua që ta paguaj edhe në emër të fondit të kompensimit të viktimave në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Ndryshe, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, për veprat penale dhënie e marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumentit zyrtar në të njëjtin akt akuzues me Hasan Selimin, ngarkohen edhe Vlora Ibrahimi, Donika Sylejmani dhe Kujtim Shaqiri, ku për këtë të fundit është veçuar procedura që në nëntor 2021, ndërsa për dy të akuzuarat Ibrahimi dhe Sylejmani nga gjyqtari i rastit Radosllav Markoviq u veçua procedura më 18 shkurt 2022 gjatë shqyrtimit fillestar në të cilin munguan dy të lartpërmendurat.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 9 qershor 2021, kishte ngritur aktakuzë kundër Hasan Selimit, Vlora Ibrahimit, Donika Sylejmanit dhe Kujtim Shaqirit.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, Hasan Selimi po akuzohet se nga fundi i muajit tetor të vitit 2016, i ka dhënë para në vlerë prej 300 euro personit zyrtar me qëllim që i njëjti të mos e kryejë veprimin zyrtar të cilin duhej ta kryente.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Hasan Selimi, zyrtares Vlora Ibrahimi si pronare e autoshkollës “Klinton” dhe NN personit ua jep 300 euro para me qëllim që i njëjti të kryejë procedurat dhe të pajiset me patentë shofer të kategorisë “B” në mënyrë të kundërligjshme, pa mbajtur orë praktike dhe teorike e po ashtu të mos hyjë në test teorik, ndërsa u premtoi se do t’ua japë edhe 500 euro tjera kur të pajiset me patentë shofer.

Më këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënie e ryshfetit” nga neni 429, par.1 të Kodit Penal.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, Vlora Ibrahimi po akuzohet se në cilësinë e pronares së autoshkollës “Klinton” në bashkëpunim me NN personin me qëllim që të fitojë në mënyrë të kundërligjshme, ka pranuar para në cilësinë e personit zyrtar në bashkëpunim me NN personin, shumën e parave në vlerë prej 300 euro si dhe ka pranuar premtimin se të njëjtit do të pranojnë edhe 500 euro të tjera në mënyrë që mos të veprojnë në pajtim me detyrën e tyre zyrtare.

Tutje në aktakuzë thuhet se Vlora Ibrahimi ka regjistruar në mënyrë të kundërligjshme si kandidat të kategorisë “B” për patentë shofer personin Hasan Selimi dhe të njëjtit në këmbim të parave të lartcekura i ka mundësuar mbajtjen e orëve teorike dhe praktike si dhe ka lëshuar dokumentin “Libreza e kandidatit” për aftësim të kandidatit, më 25 janar 2016 ku aty thekson se kandidati ka mbajtur orët praktike më 18, 19, 20, 21, 22, 23, 24, 25, 26, 27, 28 dhe 29 nëntor 2016 si dhe orët teorike të mbajtura më 18, 19, 20, 21 dhe 22 nëntor 2016, duke i vërtetuar me nënshkrimin e vet.

Gjithnjë sipas aktakuzës, e njëjta akuzohet se në fund ka lëshuar dokumentin “Vërtetim” më 30 nëntor 2016, mbi aftësimin e kandidatit Hasan Selimi, ku me këto veprime e njëjta ka përgatitur dosjen si të vërtetë për ta proceduar në njësinë e patentë shoferëve në Mitrovicë.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprat penale “Marrje e ryshfetit” nga neni 428, par.1 të KPRK, dhe veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” nga neni 434, par.1 të Kodit Penal.

Ndërsa, në dispozitivin e tretë të aktakuzës Donika Sylejmani po akuzohet se në cilësi të personit zyrtar si instruktore e vozitjes pranë autoshkolles “Klinton” në Mitrovicë në dokumentin “Libreza e kandidatit” për aftësimin e kandidatit të 25 janarit 2016, ka theksuar se kandidati Hasan Selimi ka mbajtur orët praktike më 18, 19, 20, 21, 22, 23, 24, 25, 26, 27, 28, dhe 29 nëntor 2016, duke e vërtetuar me nënshkrimin e vet si dhe në dokumentin “Vërtetim” të 30 nëntorit 2016, mbi aftësimin e kandidatit Hasan Selimi, duke nënshkruar se është aftësuar kandidati Selimi, ku ky i fundit në polici ka mohuar se ka mbajtur këto orë praktike.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve zyrtare” nga neni 434, par.1 të Kodit Penal.

Ndërsa, në dispozitivin e katërt të aktakuzës, Kujtim Shaqiri po akuzohet se më 31 janar 2017, në njësinë e patentë shoferëve në Mitrovicë me rastin e organizimit të dhënies së provimit teorik për patentë shofer, ka tentuar të vë në lajthim organin kompetent që në një dokument publik të vërtetojë një çështje të pavërtetë.

Në atë mënyrë që me dokumentin e rrejshëm – letërnjoftim të falsifikuar në të cilin ka qenë e vendosur fotografia e tij, ndërsa të dhënat personale kanë qenë të Hasan Selimit, i njëjti kishte tentuar të hyjë në test teorik për kategorinë “B” në njësinë e patentë shoferëve në Mitrovicë për kandidatin Hasan Selimi, me qëllim që personi zyrtar të vendos në regjistër kinse Selimi ka kryer testin teorik.

Mirëpo, thuhet se gjatë kontrollit së ekzaminerëve, është vërejtur dhe i njëjti ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” nga neni 403, par.1 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal.

Kujtim Shaqiri, ngarkohet se me datën dhe vendin e njëjtë si më lart me dije ka përdor dokumentin publik – Letërnjoftimin e falsifikuar në emër të Hasan Selimit, ashtu që të njëjtin ia ka prezantuar personit zyrtar pranë njësisë së patentë shoferëve në Mitrovicë edhe pse e ka ditur se i njëjti është i falsifikuar.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 389, par.2 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë