Edhe në fjalën përfundimtare, paditësja kërkon që t’i njihet e drejta në pension të personave paraplegjik dhe tetraplegjik
Raporton: Donjeta AJVAZI
Prishtinë- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin për Çështje Administrative, ka përfunduar konflikti administrativ në rastin ku paditësja R.D edhe në fjalën përfundimtare kërkoi anulimin e vendimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe t’i njihet e drejta në pension të personave paraplegjik dhe tetraplegjik.
Sipas vendimit të MPMS-së, paditëses i është refuzuar kjo kërkesë me arsyetimin se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për njohjen e të drejtës në pension të personave paraplegjik dhe tetraplegjik, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e së premtes, e pranishme ishte vetëm paditësja R.D, ndërsa lidhur me të paditurën, gjykatësi Kreshnik Kaçiu tha se e njëjta është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar.
Gjykata liroi nga pagesa e taksës gjyqësore për pagim palën paditëse, duke marrë parasysh faktin që e njëjta është përfituese e ndihmës juridike falas.
Paditësja R.D tha se e paditura MPMS pa asnjë bazë ligjore e ka refuzuar njohjen e të drejtës në pension për personat paraplegjik dhe tetraplegjik.
“Duke mbetur pranë padisë dhe thënieve në të, e njoftoj gjykatën se tek e paditura kam aplikuar për njohjen e së drejtës në pension të personave paraplegjik dhe tetraplegjik, por që e paditura pa asnjë baze ligjore e ka refuzuar”, tha paditësja.
Gjithashtu, paditësja ka njoftuar gjykatën se nuk është kontrolluar fare dhe nuk i është bërë ekzaminimi fizik i gjendjes së saj shëndetësore, por komisioni vetëm ka shqyrtuar dokumentacionin e dërguar.
Pas kësaj, gjykatësi Kaçiu administroi provat materiale dhe konstatoi se procedura e provave në këtë çështje ka përfunduar.
Në fjalën përfundimtare, pala paditëse i propozoi gjykatës që vendimi i të paditurës të anulohet dhe padia të aprovohet në tërësi si e bazuar dhe kërkoi që t’i njihet e drejta në pension të personave paraplegjik dhe tetraplegjik në grupin e parë si dhe të drejtën e kompensimit për kujdestar.
Ndryshe, sipas padisë së ushtruar në shtator të vitit 2021, paditësja R.D , po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit me të cilin i është refuzuar kërkesa për njohjen e pensionit si person me paaftësi të përhershme si e pabazuar me arsyetimin se nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të njëjtës t’i vazhdohet kompensimi për personat paraplegjik dhe tetraplegjik. /BetimipërDrejtësi