Edhe në fjalën përfundimtare, paditësi kërkon t’i njihet e drejta për përfitim të pensionit si invalid i luftës

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prishtinë – Edhe në fjalën përfundimtare, përfaqësuesi i paditësit F.K, avokati Fitim Malokaj ka kërkuar që të anulohet vendimi i të paditurës Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), me të cilin i është refuzuar si e pabazuar e drejta në pension të skemës Invalid i Luftës, dhe t’i njihet paditësi e drejta për përfitimin e atij pensioni.

Në seancën e së hënës, përfaqësuesi i autorizuar i paditësit, avokat Fitim Malokaj, deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë se dorëzuar në gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Malokaj, kërkoi nga gjykata që vendimi i të paditurës të anulohet si i pabazuar, ndërsa paditësit t’i njihet e drejta për përfitimin e pensionit si invalid i luftës, duke u mbështetur në provat të cilat i kanë paraqitur me anë të padisë.

Pas kësaj, gjykatësi Kreshnik Kaçiu, bëri administrimin e provave dhe konstatoi se procedura e provave në këtë çështje ka përfunduar.

Në fjalën e tij përfundimtare, avokati Malokaj, kërkoi nga gjykata që padia e paditësit të aprovohet dhe të njëjtit t’i njihet kjo e drejtë si e bazuar konform dispozitave ligjore.

Ndryshe, në seancën e sotme nuk prezantoi pala e paditur, e cila sipas gjykatësit Kaçiu është ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e ka arsyetuar.

Sipas padisë së ushtruar më 16 janar 2019, paditësi F.K po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të MPMS-së, me të cilin i është refuzuar kërkesa për njohjen në pension të skemës Invalid i Luftës.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se pas shqyrtimit të ankesës si dhe shkresave në lëndë, është vërtetuar se ankesa e paditësit nuk është e arsyeshme.

Paditësi me padi po kërkon anulimin e këtij vendimi dhe kompensimin e të gjitha pagave të parealizuara dhe atë nga data e aplikimit deri në nxjerrjen dhe ekzekutimin e vendimit. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë