Edhe në fjalën përfundimtare, ish-mësimdhënësi kërkon mbi 2 mijë euro për shujta ditore, shpenzime të udhëtimit e pagë jubilare

Raporton: Genta PAJAZITI

Viti– Në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, të enjten ka përfunduar gjykimi në rastin ku ish-mësimdhënësi T.T, po kërkon nga Komuna e Vitisë, që t’ia kompensojë pagat jubilare, shujtat ditore si dhe shpenzimet e udhëtimit në shumën prej 2 mijë e 10 euro e 50 centë.

Kërkesën në fjalë, pala paditëse e paraqiti edhe në fjalën përfundimtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, përfaqësuesja e paditësit T.T, avokatja Malsore Halili, ka precizuar kërkesëpadinë, ku  në emër të shpërblimit jubilar për përvojën e punës mbi 20 vite, ka kërkuar 75% të pagës bazë, në shumën prej 344 euro e 25 centë, për kompensimin e shujtave ditore për 617 ditë të pranisë në punë ka kërkuar shumën prej 1 mijë e 234 euro, ndërsa për shpenzimet e udhëtimit, shumën prej 431 euro e 90 centë, në total gjithsej 2 mijë e 10 euro e 50 centë.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurës, Ekrem Shabani, ka deklaruar se Komuna e Vitisë, përkatësisht Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA), nuk janë palë nënshkruese e Kontratës Kolektive në mes të SBASHK-ut dhe përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Andaj, sipas tij, Komuna e Vitisë dhe nuk ka mjete financiare për kompensimin e këtyre benificioneve që i parasheh kjo kontratë.

Ai shtoi se Komuna e Vitisë, nuk ka të drejtë ligjore sipas ligjit mbi ndarjen buxhetore në Republikën e Kosovës, që komunat të paguajnë pagesat për shujta, pasi që këto janë çështje të nivelit qendror.

Pas administrimit të provave, është dhënë edhe fjala përfundimtare nga palët ndërgjyqëse, ku avokatja Halili ka kërkuar që padia të aprovohet si e bazuar, si dhe i ka kërkuar edhe shpenzimet e procedurës në shumë prej 270 euro.

Më pas, gjykatësi Alush Sinani ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar dhe palët në afat ligjor do të njoftohen me vendimin.

Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 24 gusht 2020, paditësi T.T ka kërkuar kompensimin e shpërblimit jubilar, shujtave ditore, si dhe shpenzimeve të udhëtimit.

Në padi thuhet se paditësi ka qenë i punësuar në SHFML “Kuvendi i Lezhës”, në Viti”, në cilësinë e mësimdhënësit të lëndës së Gjeografisë deri në daljen në pension më 29 qershor 2020 dhe se kërkesën e tij e ka mbështetur në Ligjin e Punës dhe në Kontratën Kolektive të Arsimit, përkatësisht në nenin 35, paragrafi 8 dhe 7 të kësaj kontrate.

Gjithmonë sipas padisë, paditësi fillimisht kishte parashtruar kërkesë pranë të paditurës, por siç thuhet kjo e fundit kishte kthyer përgjigje negative.

Me kërkesëpadi, paditësi po kërkon nga e paditura që atij t’ia paguajë shujtat ditore për ditët e pranisë në punë, shpenzimet e udhëtimit, si dhe për shpërblimin jubilar prej 75 % të një page bazë, ku shuma e përgjithshme kapë vlerën prej 2 mijë e 10 euro e 50 centë. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë