E pranon fajësinë, dënohet me gjobë i akuzuari që goditi këmbësorin me veturë

vjollca
Author

Raporton: Vjollca QERIQI

Tetor 11, 2018

Lipjan – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, e ka dënuar me 200 euro gjobë, të akuzuarin për rrezikim të trafikut publik, Xhevdet Fazliu.

Gjykatësi Avdirrahman Gashi, e ka shpallur aktgjykimin të enjten, pasi që i akuzuari Fazliu, e kishte pranuar fajësinë lidhur me akuzën që i vihej në barrë.

I akuzuari Fazliu, është obliguar që t’i paguaj edhe shpenzimet procedurale në shumë prej 60.88  euro, 20 euro në emër të paushallit gjyqësor, si dhe 30 euro, në emër të kompensimit të viktimave.

Kurse, pala e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Në seancën e shqyrtimit gjyqësor, të 9 tetorit 2018, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e shtetit Merita Lumezi, i akuzuari ka deklaruar se e ndien veten fajtor për këtë vepër e cila i vihet në barrë.

Ai ka shtuar se ndien keqardhje për aksidentin e shkaktuar, duke premtuar që nuk do të përsëris më një vepër të tillë.

I akuzuar Fazliu, ka kërkuar nga Gjykata që t’i shqiptohet një dënim më i lehtë, për shkak se është në moshë të shtyrë dhe është pensionist.

Prokurorja e çështjes, Merita Lumezi, ka deklaruar se pajtohet me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, pasi që sipas saj është bërë konform dispozitave përkatëse të KPPRK-së

Gjykatësi Avdirrahman Gashi, pas kësaj e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e akuzuarit Fazliu.

Ndryshe sipas aktakuzës së 23 shkurtit 2018, Fazliu akuzohet se më 27 tetor 2017, rreth orës 11:25, në rrugën “Hajredin Bajrami” në Lipjan, derisa ka qenë duke e drejtuar automjetin, nga pakujdesia ka vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Rregullat e Trafikut Rrugor.

Sipas aktakuzës, ai duke rrezikuar jetët e njerëzve, gjatë drejtimit të automjetit, nuk ia ka përshtatur shpejtësinë kushteve të lëvizjes, që ta ndalte para se të godiste tani të dëmtuarin, i cili po ashtu  ka kontribuar shkaktimin e pasojës së aksidentit.

Gjithmonë sipas aktakuzës, i akuzuari  me pjesën e përparme të anës së djathtë të automjetit të tij, e godet këmbësorin tani të dëmtuarin Kastriot Gashi, i cili ka pësuar lëndime në këmbën e majtë dhe përdredhje të qafës, të shkaktuar nga mjeti i fortë mekanik, që të tilla bëjnë pjesë si lëndime të lehta trupore.

Me këtë, Fazliu akuzohej se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”  nga neni 378 par.6 lidhur me par. 1 të KPRK-së.