E pranojnë fajësinë të akuzuarit se kishin rrahur një zyrtar policor në pikën e kufirit në Merdarë

Foto, gjykimi 27 nentor
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Nëntor 27, 2020

Podujevë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, e kanë pranuar fajësinë të akuzuarit Driton Xhoxhaj dhe Sylejman Xhoxhaj, për veprën penale nga neni 410 i KPRK-së.

I akuzuari Driton, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Besart Mustafa, tha se ndjehet fajtor për rastin me të cilin e ngarkon aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E pranoj fajësinë, pendohem, i kërkoj falje personit zyrtar, policit Sadri Shabani, si dhe i premtoj gjykatës se nuk do të përsëritet, është hera e parë që kam ra ndesh me ligjin”, deklaroi i akuzuari Driton Xhoxhaj.

Se e pranon fajësinë, deklaroi edhe i akuzuari tjetër Sylejman Xhoxhaj, por një deklarim të tillë e bëri pas konsultimit 2 minutësh me avokatin e tij sipas autorizimit.

“E pranoj fajësinë për veprën penale, e ndjej veten të fajshëm, i premtoj gjykatës se nuk do të përsëritet, është hera e parë që kam ra ndesh me ligjin”, deklaroi i akuzuari Sylejman Xhoxhaj.

Pranimin e fajësisë së të akuzuarve në fjalë, nuk e ka kundërshtuar prokurori Besart Mustafa dhe më pas e ka aprovuar edhe gjykatësi i çështjes Gazmend Bahtiri.

Lidhur me këtë pranim e fajësisë, u deklarua edhe i dëmtuari, zyrtari policor Sadri Shabani, i cili ndër të tjera tha se nuk parashtron kërkesë pasurore-juridike, si dhe më tej tha se i bashkëngjitet fjalës së prokurorit të shtetit dhe se ia lë gjykatës të vendos.

Tutje, pas këtyre deklarimeve, fjalën e tij për pranimin e fajësisë nga i mbrojturi i tij, Driton Xhoxhaj, e tha edhe mbrojtësi i tij sipas autorizimit, avokati Asdren Hoxha.

“Gjykatë e nderuar pajtohem me pranimin e fajësisë së të mbrojturit tim duke deklaruar se pranimi i tij vjen si pasojë e konsultimit të mjaftueshëm me mua si mbrojtës, është i vetëdijshëm dhe në përputhje me provat që gjenden në shkresat e lëndës. Andaj, vlerësoj se është në përputhje me dispozitat e nenit 248 të KPPRK-së dhe si të tillë gjykatës i propozoj që të njëjtin ta aprovoj. Lus gjykatën që të ketë parasysh rrethanat posaqërisht lehtësuese siç janë: Pranimi i fajit nga ana e të mbrojturit tim, i shprehur me pendim dhe premtim publik që në të ardhmen nuk do ta përsëris veprën penale, po ashtu i përcjellur me kërkim-falje në këtë gjykatore dhe shtrirje të dorës palës së dëmtuar me fjalët “Më vjen keq për përleshjen me uniformën”, dhe “i kërkoj falje jo vetëm të dëmtuarit, por të gjithë Policisë së Kosovës”. Faktin se i mbrojturi im për herë të parë ka rënë ndesh me ligjin, është i martuar, ka dy fëmijë, si dhe rrethanat e ndodhjes së veprimit në afekt me zyrtarin policor, në favor të së cilës rrethanë flet edhe fakti se në veturë përveç Driton Xhoxhajt, ka qenë edhe nëna dhe babai i tij, si dhe bashkëshortja e tij asokohe shtatëzënë, gjë që flet se i mbrojturi im në rrethana të tilla nuk e ka dashur dhe as nuk e ka dëshiruar ngjarjen që ka ndodhur pastaj. Gjykatë e nderuar lus që ndaj të mbrojturit tim të shqiptohet denim i zbutur duke zbatuar dispozitat ligjore për zbutje të denimit nën minimum të paraparë me ligj, e që me pajtim të të mbrojturit tim ai denim të zëvendësohet në gjobë”, deklaroi avokati Asdren Hoxha.

Pranimin e fajësisë së të mbrojturit e tij Sylejman Xhoxhaj, e përkrahu edhe avokati i tij Gani Hoxha.

“E mbështes deklaratën e të mbrojturit tim në këtë seancë, pas konsultimit të mjaftueshëm dhe udhëzimet për benefitet e pranimit të fajësisë para gjykatës, pranimi është i vullnetshëm, pa presion dhe në harmoni me shkresat e lëndës, andaj i propozoj gjykatës që të merr aktvendim për pranimin e fajësisë, meqenëse edhe prokurori i shtetit edhe i dëmtuari e dhanë pëlqimin, ndërsa sa i përketë dënimit, i propozoj gjykatës që me rastin e vendosjes së caktimit dhe matjes së denimit të merr parasysh rrethanën posaqërisht lehtësuese të pranimit të fajësisë, për herë të parë është në gjykatë, është baba i katër fëmijëve  dhe konsideroj se me një dënim të zbutur të përcaktuar nën minimumin e paraparë me ligj për këtë vepër penale  do të arrihet efekti dhe qëllimi i dënimit të paraparë me ligj dhe me pëlqimin e të pandehurit ky dënim do të shndrrohet në denim me gjobë”, deklaroj avokati Gani Hoxha.

Por, para gjithë kësaj rrjedhe, pas leximit të aktakuzës, prokurori Mustafa, ka bërë precizimin e përshkrimit faktik, ku sipas tij, në rreshtin e parë, pas fjalës “ofendoj zyrtarët e policisë”, duhet të shtohen fjalët “dhe ka tentuar të sulmoj pjesëtarin e policisë, tani të dëmtuarin Sadri Shabani”, pjesa tjetër mbetet e pandryshuar. Ndërsa i njejti ka bërë edhe ricilësimin e veprës penale sa i përketë Sylejman Xhoxhajt, e që duhet të jetë “Me këtë Sylejman Xhoxhaj në tentativë ka kryer veprën penale “sulm ndaj përsonit zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga neni 410 par.1 lidhur me par.28 të KPRK-së, ndërsa, sipas tij, pjesa tjetër mbetet e pandryshuar.

Si përfundim, gjykatësi Gazmend Bahtiri, njoftoj se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datën 01.12.2020, në ora 14:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së datës 24.06.2020, të akuzuarit ngarkohen me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ku thuhet se me datën 07.09.2017, rreth orës 08:25, në afërsi të pikës kufitare në Merdarë, derisa i pandehuri Sylejman Xhoxhaj ka qenë duke e drejtuar veturën e tij, ashtu që i njejti ka tejkaluar kolonën e veturave, ku nga zyrtarët policor është urdhëruar që të kthehet në fund të kolonës, por i pandehuri Sylejman në shenjë revolte, fillimisht ka filluar t’i ofendoj zyrtarët e policisë , ku më pas nga vetura ka dalë edhe i pandehuri Driton Xhoxhaj, i cili e ka sulmuar fizikisht pjestarin e policisë, tani të dëmtuarin Sadri Shabani në atë mënyrë që e ka goditur një herë me kokë në fytyrë dhe gjatë arrestimit të të pandehurve, lëndime trupore ka pësuar edhe pjesëtari i policisë, tani i dëmtuari Behram Maliqi.

Me këtë, ata akuzoheshin se kanë kryer veprën penale nga neni 410 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi