E dënuara me dy vjet me kusht për pjesëmarrje në ISIS kërkon nga Apeli zbutjen e dënimit

119450608_2717840515146051_4844417972156208580_n
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Shtator 14, 2020

Prishtinë – Departamenti Special i Gjykatës së Apelit, të hënën ka shqyrtuar ankesën e të akuzuarës për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, Vildane Ismajli.

Ismajli ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me dy vjet burgim me kusht, dënim ky që nuk do të ekzekutohej nëse ajo nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej tre vjetësh pasi e njëjta kishte pranuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vendimit të shkallës së parë, nëse e akuzuara kryen vepër të re penale brenda periudhës së verifikimit, dënimi me kusht do t’i zëvendësohet në atë me burgim, duke ia llogaritur edhe masën e arrestit shtëpiak.

Madje, përveç dënimit me kusht, e akuzuara Ismajli ishte obliguar që të përmbushë detyrimin për vizitë tek psikologu apo këshilluesi.

Por e pakënaqur me gjatësinë e dënimit të shqiptuar, Ismajli përmes mbrojtëses së saj, avokates Ardiana Azemi, ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Avokatja Azemi deklaroi se dënimi i shqiptuar është i lartë dhe se e mbrojtura e saj është në gjendje jo të mirë, pasi që e njëjta është nënë vetushqyese e tre fëmijëve, jeton me nënën e saj e cila po ashtu nuk qëndron mirë ekonomikisht dhe është përfituese e skemës sociale.

Ndërkaq vet e akuzuara Ismajli deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklarimeve të avokates së saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së ngritur nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), me 10 qershor 2020, e akuzuara Ismajli me 3 nëntor 2014, së bashku me bashkëshortin e saj Sadri Nerjovaj kishin lëshuar territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të dy përmes vend-kalimit kufitar Hani i Elezit kishin udhëtuar për në Shkup dhe të nesërmen me autobus kishin udhëtuar në Suedi ku kishin qëndruar dy muaj dhe më pas përmes lidhjes nga aeroporti i Stokholmit kishin udhëtuar në Stamboll dhe me automjet ishin transportuar në Gazientep afër kufirit me Sirinë.

Më pas sipas PSRK-së, e akuzuara dhe bashkëshorti i saj pasi ishin transportuar në Gazientep, nga ana e pjesëtarëve të ISIS-it ishin transportuar në qytetin “Sedel Faruk” dhe e njëjta ishte regjistruar ndaras nga burrat në ISI, prej nga kishin udhëtuar në qytetin “Masul”, të Irakut.

Pas 3-4 muajsh thuhet se ishin kthyer në qytetin Rala dhe gjatë kësaj kohe e akuzuara ishte angazhuar në pikëpamje logjistike si: në përgatitjen e ushqimit, pastrimin e rrobave ushtarake të bashkëshortit të saj, luftëtar i ISIS-it dhe ishte financuar për këto shërbime nga 150 dollarë në muaj.

Pastaj sipas PSRK-së, në vitin 2018 ishte arrestuar nga forcat demokratike siriane dhe më 19 prill 2019 ishte riatdhesuar në Kosovë.

Për këto veprime, e akuzuara Ismajli ngarkohej me veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.