E akuzuara pranon se ishte pjesë e grupeve terroriste “ISIS” dhe “Al-Nusra”, thotë se është penduar

24.12.2019
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Dhjetor 24, 2019

Prishtinë – E akuzuara për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, Agnesë Zuzaku, e ka pranuar fajësinë për këtë vepër në seancën fillestare të mbajtur të martën, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Sylë Hoxha, e akuzuara Zuzaku tha se ndihet fajtore për këtë vepër penale.

“E pranoj fajësinë, kam gabu”, tha e akuzuara Zuzaku.

Deklarimi i të akuzuarës Zuzaku u përkrah edhe nga mbrojtësja e saj, e caktuar sipas detyrës zyrtare, avokatja Lendita Keçekolla, si dhe nuk u kundërshtua as nga prokurori Hoxha, me arsyetimin se pranimi ishte bërë sipas ligjit.

Në rrethana të tilla, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shadije Gërguri mori vendim që të aprovonte pranimin e fajësisë të bërë nga e akuzuara Zuzaku, me arsyetimin se pranimi ishte vullnetar, pa presion dhe se ishte rezultat i konsultave paraprake të të akuzuarës me mbrojtësen e saj.

Më pas, prokurori Hoxha ka kërkuar nga gjykata që me rastin e vendosjes për dënimin të merr parasysh si rrethanë rënduese faktin se ajo me vetëdije, së bashku me burrin e saj, ka shkuar drejt zonave të luftës dhe i është bashkëngjitur grupeve terroriste “ISIS” dhe “Al-Nusra”.

Ndërsa, si rrethana lehtësuese, prokurori ka përmendur pranimin e fajësisë, gjendjen e saj momentale ekonomike, faktin se ka dy fëmijë për të cilët kujdeset vet e akuzuara, ngase burri i saj nuk gjendet në Kosovë, duke i propozuar gjykatës shqiptimin e një dënimi të kushtëzuar.

Krahas propozimit për dënimin, prokurori Hoxha i ka propozuar gjykatës angazhimin e një psikologu për të akuzuarën, nën mbikëqyrjen e shërbimit sprovues, duke marrë parasysh përjetimet e të akuzuarës në zonat e luftës.

Ngjashëm edhe avokatja Keçekolla-Gashi, ka propozuar që ndaj të mbrojturës së saj të shqiptohet një dënim sa më i butë, me arsyetimin se ajo është nënë e dy fëmijëve, se ajo është e lënduar thellë pasi në Siri ka humbur një fëmijë të moshës tre muaj dhe se nuk ka përkujdesje materiale nga burri i saj.

E akuzuara Zuzaku, në fjalën e saj, u shpreh e penduar për veprimet e ndërmarra, duke i premtuar gjykatës së nuk do të përsërisë veprime të ngjashme në të ardhmen.

“Jam pendu thellë për veprimet e mia, i premtoj gjykatës se s’ka me ndodh mo”, tha e akuzuara.

Shpallja e aktgjykimit në këtë çështje penale do të bëhet më 27 dhjetor, nga ora 13:00.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 16 dhjetor ka ngritur aktakuzë ndaj Agnesë Zuzaku për shkak të veprës penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, ekziston dyshimi i bazuar se ajo me dashje dhe vetëdije të plotë më 12 shtator 2014, ka kaluar përmes pikës kufitare të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, së bashku me bashkëshortin e saj, Alejhim Maliqi dhe vajzën e saj, duke udhëtuar në drejtim të Stambollit, në Turqi.

Prokuroria pretendon se e akuzuara Zuzaku më pas ka vazhduar për në Siri, në zonën e konfliktit Siri-Irak me qëllim që t’iu bashkëngjitet grupeve terroriste “ISIS” dhe “Al Nusra”, ku gjatë qëndrimit në zonat e luftës ka pasur vizita nga persona të ndryshëm, në mesin e të cilëve edhe nga Lavdim Muhaxheri, Ridvan Haqifi me gruan e tij.

Gjithnjë sipas prokurorisë, Zuzaku akuzohet se gjatë qëndrimit në Siri, ka pranuar shuma nga 50 deri në 150 dollarë për muaj, pako ushqimore dhe gjëra higjienike dhe se bashkëshorti i saj, Alejhim Maliqi, ka ushtruar me Ushtrinë Siriane si dhe ka dhënë ligjërata në xhaminë e qytetit Minbixh, ndërsa e akuzuara më 20 prill 2019, nga autoritetet e drejtësisë amerikane është riatdhesuar në Kosovë. /BetimipërDrejtësi