E akuzuara për mosraportim të pasurisë e pranon fajësinë në shqyrtimin fillestar

Raporton: Valdet HAJDINI

Prishtinë – Këshilltarja Komunale e Kuvendit Komunal të Shtimes, Imrije Sadriu, të enjtën, ka pranuar fajësinë për veprën penale të mosraportimit apo raportimit të rremë të pasurisë në Agjencionë Kundër Korrupsionit. Pas pranimit të fajësisë qysh në seancën fillestare nga e akuzuara, gjykatësja Albina Shabani-Rama mori aktgjykim, për dënimin e të akuzuarës me dënim me gjobë dhe me kusht që në dy vitet e ardhshme nuk do të kryej vepër tjetër penale.

E akuzuara Sadriu, para gjykatëses së Departamentit të Përgjigthshëm, Albina Shabani-Rama, e ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale, duke deklaruar se se nuk e njeh mirë punën me kompjuter, ndërsa formularin për deklarimin e pasurisë e kishte dërguar gabimisht. “Formën elektronike të formularit e kam plotësuar dhe e kam dërguar në AKK, por pa dijeninë time e kam dërguar në e-mail të gabuar, ndërsa formularin në kopje fizike nuk e kam dërguar në AKK, e ky është gabimi im i vetëm”, tha e akuzuara. Gjithashtu, ajo ka kërkuar nga gjykata që gjatë marrjes së vendimit, të ketë parasysh faktin se me vullnet të lirë e pranon gabimin dhe të jap një dënim të arsyeshëm.

Ky proces gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga prokurorja e rastit, Arbresha Raça-Shala, e cila ka akuzuar Imrije Sadriun, për veprën penale “mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë i të ardhurave, i dhuratave ose i dobisë tjeetër materiale ose detyrimeve financiare”. Sipas pretendimit të prokurorisë, e akuzuara nga data 1 – 31 mars 2015, nuk i kishte paraqitur të dhënat e kërkuara për pasurinë e saj për vitin 2014 në Agjencinë Kundër Korrupsionit, në atë mënyrë që nuk e kishte përmbushur formularin për deklarim të pasurisë së zyrtarit të lartë publik në bazë të ligjit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë