E AKUZUARA NUK MERR FTESË NGA GJYKATA, SHTYHET SEANCA PËR KORRUPSION
Raporton: Arbelina DEDUSHAJ
Prishtinë – Ftesa e pa dorëzuar në adresën e saktë të së akuzuarës Arbresha Hoti u bë shkas që seanca e së enjtes të shtyhet. Ky proces gjyqësor kundër Hotit, e cila akuzohet për veprën penale “përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës”, ishte shtyrë disa herë për arsye të ndryshme.
Pas një pritje të gjatë në hollin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, mbrojtësi i të akuzuarës Hoti, avokati Ramë Gashi si dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar nga kompania “IPKO”, Blerim Halimi u larguan, pasi këta të fundit as që ishin njoftuar paraprakisht për një vonesë të tillë nga ana e gjykatëses Syzana Qerkini. Qerkini këtë vonesë e kishte arsyetuar me faktin se kishte qenë kryetare e trupit gjykues në një rast tjetër në një seancë të paradites, e cila kishte zgjatur më shumë se sa ishte paraparë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 20 dhjetor 2011 nga prokurorja Drita Hajdari, tani e përfaqësuar nga Ferdane Sylejmani, e pandehura Hoti në cilësinë e personit zyrtarë, përkatësisht udhëheqëse e ekipit në kompaninë “IPKO”, me seli në Prishtinë, “Qyteza Pejton”, nuk e kishte kryer obligimin e saj që të hollat e pazarit të asaj pike të shitjes t’i deponojë në “Procredit Bank”, por të njëjta i kishte përvetësuar e atë në shumën prej 31.622,34 eurosh.