E akuzuara në pushim vjetor, shtyhet gjykimi për uzurpimin e një prone në Lipjan

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan- Mungesa e të akuzuarës A.G, e cila është në pushim vjetor, ka pamundësuar mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku prokuroria atë po e ngarkon për uzurpim të pronës së paluajtshme.

Fillimisht, për të akuzuarën G., gjykatësi Avdirrahman Gashi ka thënë se ekzistojnë provat se është ftuar në mënyrë të rregullt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas konstatimit të mungesës së të akuzuarës, gjykatësi Gashi ka konstatuar edhe mungesën e të mbrojturës së saj, me ç’rast edhe për të ka thënë se ka qenë e ftuar po ashtu në mënyrë të rregullt.

Gjykatësi shtoi se e akuzuara e ka njoftuar gjykatën se gjendet në pushim vjetor dhe e ka lutur të njëjtin që gjykimin ta shtyjë për tri ose katër ditë.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seance, shqyrtimi gjyqësor i radhës u caktua më 5 korrik 2022.

Gjykatësi Gashi për palën mbrojtëse ka thënë se do të ftohet në mënyrë të rregullt.

Sipas aktakuzës së ngritur më 14 janar 2022, e akuzuara A.G po ngarkohet se nga 1 qershori 2020 e në vazhdimësi në mënyrë të kundërligjshme ka pushtuar pronën e paluajtshme të të dëmtuarit R.L, në atë mënyrë që pa autorizim ka hyrë në posedim faktik të paluajtshmërisë, parcelës me sipërfaqe prej 40 m2, e cila gjendet në vendin e quajtur “Varosh Çesma”, me të cilin veprim të dëmtuarit në fjalë i pamundësohet shfrytëzimi i qetë faktik dhe juridik i pasurisë së vet, në këtë rast të pjesës së parcelës në fjalë.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale, “Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme” nga neni 320, paragrafi 1, të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në ketë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë