E akuzuara mohon se keqpërdori 598 vota të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010

20190711_133713
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Korrik 11, 2019

Prishtinë – E akuzuara për mashtrim në votime, Egzona Muli, ka mohuar se ajo ka marrë pjesë në keqpërdorimin e 598 votave, në zgjedhjet parlamentare që janë mbajtur në vitin 2010, në Kosovë.

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Hivzi Bajraktari, e akuzuara mohoi fajësinë, duke shtuar se ajo  nuk ka marrë pjesë në të gjithë procesin e numërimit.

Ajo shtoi se procesi i votimit deri në ora 19:00, është zhvilluar në rregull, mirëpo pas orës 19:00, kur ka filluar procesi i numërimit të votave ka ndodhur një konflikt në mes komisionarëve të tjerë, që sipas saj, kishte ndikuar që në atë sallë të vinin edhe policia.

Pasi që e akuzuara nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi Beqir Kalludra, e ka njoftuar atë se brenda 30 ditësh mund të kundërshtojë provat dhe të bëjë kërkesë për hudhjen e aktakuzës.

Ndryshe, bashkë me Egzona Mulin, në këtë rast kanë qenë të akuzuar edhe Adnan Jupolli, Jahi Ukshini, Bekim Gjelaj, Milaim Korqaj, Genta Hoxha dhe Blerim Hoxha.

Për faktin se më herët e akuzuara Muli, nuk ka qenë e arritshme për gjykatën ndaj saj, ishte veçuar procedura, ndërsa, ndaj të gjithë të akuzuarve të tjerë, gjykata në mungesë të provave ka hedhur aktakuzën.

Shqyrtimi i dytë është caktuar më 23 gusht 2019, në ora 9:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës më 12 dhjetor 2010, në qendrën e votimit, në shkollën e mesme ekonomike “Hoxhë Kadriu”, në lagjen “Dardania”, të Prishtinës, në zgjedhjet parlamentare, në bashkëkryerje dhe me qëllim të ndryshimit të rezultateve të zgjedhjeve, të akuzuarit kanë falsifikuar votat duke ia hequr disa kandidateve votat dhe duke ia shtuar ato vota disa kandidateve të tjerë.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë regjistruar në mënyrë jo të saktë 598 vota, nga të cilat 71 vota i takonin partisë FER, 57 vota AKR-së, 198 vota LDK-së, 152 vota Lëvizjes Vetëvendosje, 21 vota AAK-së dhe 98 vota PDK-së. /BetimipërDrejtësi