E akuzuara mohon se ka votuar dy herë në zgjedhjet e vitit 2013, caktohet ekspertiza grafologjike

Amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Gusht 22, 2019

Mitrovicë – Të enjten, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, është caktuar të bëhet ekspertiza grafologjike, në rastin ku për keqpërdorim të drejtës së votimit, akuzohet Nazmije Hajdari.

Hajdari akuzohet se në zgjedhjet e vitit 2013, në Skenderaj, ka votuar si votuese e rregullt dhe me kusht, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, në seancën e së enjtes, e akuzuara ka deklaruar se nuk është nënshkrimin i saj që figuron në listën e votuesve të rregullt, ndërsa ka pohuar se në zarfin e votimit me kusht është nënshkrimi i saj.

Lidhur me këtë, prokurori Njazi Rexha, i ka propozuar gjykatës që të bëhet një ekspertizë grafologjike për të vërtetuar nëse nënshkrimi është i të akuzuarës ose jo.

“Meqenëse e pandehura është kontradiktore sa i përket nënshkrimeve në kopjen e listës së votuesve me kusht e njëherit mohon nënshkrimin në listën e votuesve të rregullt, i propozoj gjykatës që  të nxirret një ekspertizë grafologjike në mënyrë që të vërtetohet se e pandehura  a ka nënshkruar në kopjen e zarfit të fletëvotimit me kusht dhe listën e votuesve të rregullt”, ka thënë Rexha.

Këtë, propozim nuk e ka kundërshtuar, e pandehura Hajdari, ndërsa e ka aprovuar gjykata.

Kryetari i trupit gjykues, Beqir Halili, ka njoftuar se seanca e radhës do të caktohet pas pranimit të ekspertizës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me 24 qershor 2015, kishte ngritur aktakuzë ndaj Nazmije Hajdari.

Sipas aktakuzës, më 3 nëntor 2013, në shkollën fillore “Abedin Rexha”, në Skenderaj, në zgjedhjet lokale kishte votuar si votuese e rregullt, e pastaj në të njëjtën shkollë kishte votuar edhe si votuese me kusht.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i të drejtës së votimit”, nga neni 216 par 1 pika 1.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi