E akuzuara mohon fajësinë për kanosjen e ish-mësueses së djalit përmes mediave

119515823_743216523196510_8142076875663302457_n
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Shtator 15, 2020

Gjakovë – E akuzuara për kanosje, Arta Skenderaj, është deklaruar e pafajshme, në seancën fillestare të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori, Sadri Alija, e akuzuara deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën akuzohet.

“Është e vërtetë që i kam thonë këto fjalë për ish-mësuesen e djalit tim. Këto fjalë i kam thonë për ta mbrojtur djalin tim, dhe nuk tërhiqem prej atyre fjalëve që i kam thënë edhe publikisht, por nuk e pranoj fajësinë”, deklaroi e akuzuara Skenderaj.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarës, avokati Prek Kola deklaroi se heqin dorë nga kërkesa për  hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, duke propozuar që të shkohet direkt në shqyrtim gjyqësor, me qëllim që të mos prolongohet procedura.

Më pas, gjykatësja Diana Sina ka caktuar 8 tetorin 2020 për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor.

Ndryshe, e dëmtuara Leonora Doli, e cila nuk ishte e pranishme në seancë, ka qenë e akuzuar për rrahjen e djalit të të akuzuarës Skenderaj, mirëpo ajo ishte shpallur e pafajshme nga Gjykata Themelore në Gjakovë, aktgjykim të cilin më pas e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Arta Skenderaj po akuzohet se më 30 maj 2019, rreth orës 20:00, përmes mediave në RTV “Dukagjini”, e ka kanosur seriozisht të dëmtuarën Leonora Doli.

Tutje sipas aktakuzës, e akuzuara e ka kërcënuar të dëmtuarën me fjalët “Nëse jo gjykata hakun do ta nxjerrim vet”, pastaj, “Ajo ka ndodhë para katër viteve, po çka ka me ju ndodh tash 99-shi pak u kon”, pastaj, “ edhe pulat që i ka në oborr ka me jau ba rrafsh”, mandej, “Gjykata le të bëjë çka të dojë, ne mu nal këtu s’kemi mu nal…, çka ka me ndodh ma e keqja që Gjakova le të ulet në gjakë krejt”, gjithashtu e njëjta kërcënon: “që hakun ka me ja dhan vet mësueses”, e gjithë kjo për shkak se e dëmtuara gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare si mësimdhënëse, gjoja e kishte keqtrajtuar djalin e të akuzuarës në shkollë, e që për këtë e dëmtuara është liruar nga aktakuza me vendim me vendim të Gjykatës Themelore në Gjakovë, me çka me këtë veprim tek e dëmtuara shkakton frikë dhe ankth.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “kanosje” nga neni 181 parag.2 të KPRK-së.