E AKUZUARA MERITA KOSTARI DEKLAROHET E PAFAJSHME PËR VEPRËN PENALE TË MOS RAPORTIMIT TË PASURISË

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Anëtarja e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Merita Kostari, të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në paraqitjen para gjyqtares së vetme te trupit gjykues Albina Shabani – Rama, është deklaruar se ndihet e pafajshme për veprën penale të “mos raportimit apo raportimit të rremë të pasurisë” në Agjencionin kundër Korrupsionit.

Ky proces gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga prokurori i rastit Naim Abazi, i cili e akuzon Kostarin për veprën penale “mos raportim apo raportim i rremë i pasurisë”, pasi sipas aktakuzës, e akuzuara gjatë periudhës kohore prej 01 janarit 2014 deri më 31 dhjetor 2014 kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin për deklarim, prejardhjen dhe kontrollimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, duke mos e deklaruar zotërimin e aksioneve në shoqëri tregtare dhe të hyrat nga këto aksione për anëtarët e familjes përkundër faktit se kishte qenë e obliguar sipas ligjit ta bënte një gjë të tillë në Agjensionin Antikorrupsion në Prishtinë.

Mbrojtësi i të akuzurës Merita Kostari, avokati Naim Krasniqi, tha se deri në mbajtjen e shqyrtimit dytësor do t’i paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me dispozitivin e aktakuzës ngase sipas tij aktakuza nuk mbeshtetet në prova të bazuara.Gjyqtarja Rama ka caktuar seancën e shqyrtimit dytësor me datë 30 mars në ora 09:30.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë