E akuzuara Drita Rexhepi Krye-shefe ekzekutive e Agjencionit për Ndihmë Juridike thotë se me veturë zyrtare kishte shkuar për pushime në Shqipëri

Raporton: Valdet HAJDINI

Prishtinë – Ka dhënë mbrojtjen e vet Drita Rexhepi, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencionit për Ndihmë Juridike Falas, në procesin gjyqësor që po zhvilohet kundër saj, për veprën penale ‘falsifikim i dokumentit zyrtar’.

E akuzuara Drita Rexhepi, në mbrojtjen e vet deklaroi se Agjencioni për Ndihmë Juridike Falas financohet dhe i raporton Kuvendit të Kosovës. Më tej, e akuzuara deklaroi se në cilësi të Kryeshefes Ekzekutive ka qenë e ngarkuar me veturë personale, me të drejtë shfrytëzimit brenda dhe jashtë vendit, ndërsa në shumë raste e kishte përdorur për qëllime individuale.

“Në lidhje me rastin konkret unë e kam huazuar veturën zyrtare për një udhëtim privat në Shqipëri, ndërsa në Sarandë kam pësuar aksident trafiku”, deklaroj e akuzuara Rexhepi.

Në pyetjen e prokurores së rastit Merrushe Llugiqi, nëse gjatë kalimit të kufirit i ishte kërkuar autorizimi për vetrën zyrtare, e akuzuara Rexhepi tha “nuk më kujtohet nëse atë ditë më kanë kërkuar autorizimin”.

Në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues Shashivar Hoti, se si ishte lajmëruar Policia e Kosovës për rastin, e akuzuara tha se të nesërmen, pasi që kishte ardhur në Kosovë, e kishte lajmëruar vet policinë. “Në mëngjes e kam telefonuar policinë, pasi kam mënduar që vetura në të njejtin vend më ishte goditur gjatë natës” tha Rexhepi. Tutje, ajo tha se “meqenëse nuk ka pasur asnjë dokument nga aksidenti në Sarandë, nuk u kam treguar policisë për atë aksident”.

Ndërsa, në pyetjen e anëtarit tjetër të trupit gjykues, gjyqtarit Elmaz Zenuni, se me kë kishte qenë në Shqipëri dhe a ishte udhëtim zyrtar, e akuzuara tha “udhëtimi ka qenë privat dhe atje kam shkuar me motrën dhe dhëndërrin”.

Duke u përgjigjur në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Valon Kurtaj, për arsyen e nënshkrimit të autorizimit në vend të Daut Morinës, e akuzuara deklaroi se autorizimin e kishte përpiluar ajo vet. “Autorizimin e kam përpiluar unë, e njejta është nevojitur për shkak të një udhëtimi zyrtar që e kemi pasur atë verë në Shqipëri, ndërsa atë ditë nuk ka qenë në zyre Daut Morina”, tha e akuzuara.

Seanca e ardhshme për këtë rast gjyqësor u caktua për 26 shtator 2016, me fillim prej orës 14.00.

Ky gjykim po zhvillohet në bazë të aktakuzës së prokurorisë, e cila pretendon se e akuzuara Drita Rexhepit, Kryeshefe Ekzekutive në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, ka falsifikuar një dokument publik. Prokuroria pretendon se e akuzuara ka falsifikuar një autorizim, të cilin e kishte lëshuar në emër të Drejtorit të Administratës Qendrore, Daut Morina. Sipas prokurorisë e akuzuara me qëllim të shfrytëzimit të automjetit zyrtar të tipit “Peugeot 206”, e nënshkruan autorizimin me qëllim të shfrytëzimit për të shkuar në pushime vjetore në Shqipëri, së bashkë me disa anëtarë të familjes, ku edhe pëson aksident komunikacioni.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë