Prishtinë- Policia njofton se një person 55 vjeç ka ndërruar jetë dhe dyshohet se shkaktar të jetë thithja e tymit të nxemëses elektrike. Lidhur me rastin kanë nisur hetimet.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi për medie nga policia, ku thuhet se rasti ka ndodhur të premten rreth orës 14:00, në fshatin Zabel i Ulët të Komunës së Drenasit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes duke filluar menjëherë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave të rastit”, thuhet në njoftim.
Policia bën të ditur se në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe mjekët emergjent, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës dhe nga të dhënat fillestare, dyshohet se viktima ka humbur jetën si rezultat i thithjes së tymit të shkaktuar nga një nxemëse elektrike.
“Megjithë dyshimet e ngritura policia me kujdes të shtuar po heton rastin si vdekje të dyshimtë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore që do ti kontribuonin hetimit të ngjarjes përderisa trupi i pajetë i viktimës është është dërguar në institutim e mjekësisë ligjore për obduksion”, thuhet në fund të njoftimit. /BetimipërDrejtësi