Dy zyrtarët policorë deklarohen të pafajshëm për keqpërdorim detyre

Amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Nëntor 7, 2019

 


Mitrovicë – Të enjten, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, janë deklaruar të pafajshëm zyrtarët policorë Nebojsha Vukojeviq dhe Sreqko Janiqijeviq, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Pasi prokurorja Fetije Bajrami-Shala, e ka lexuar aktakuzën në seancën e shqyrtimit fillestar, dy të akuzuarit kanë mohuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjykatësi, Bekim Veliqi, i ka njoftuar të pandehurit me të drejtën e tyre që të kundërshtojnë provat në aktakuzë si dhe të kërkojnë hedhjen e aktakuzës në afat prej 30 ditësh.

Gjykatësi i ka njoftuar se lidhur me kundërshtimet dhe kërkesat e palëve do të vendos me aktvendim të veçantë.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 25 janar 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Nebojsha Vukojeviq dhe Sreqko Janiqijeviq.

Sipas aktakuzës, më 3 korrik 2016, në fshatin Drenova, komuna e Leshakut, para pompës së benzinës “Oktan”, i dëmtuari Jugosllav Andrik, së bashku me dy dëshmitarët Radisha Llazoviq dhe Sllobodan Pandriq, kishte shkuar në fshatin Drenov, me kamionin e të dëmtuarit, për të blerë dru nga personi Vladan.

Sipas aktakuzës, ndërkohë kishte ardhur dëshmitari Dejan Veljkoviq, me automjetin e tij, i cili kishte kërkuar nga i dëmtuari Jugoslav Andrik, para në shumën prej 400 euro, për drutë të cilat ia kishte shitur para një viti, derisa i dëmtuari i ishte përgjigjur se drutë atëherë ia kishin konfiskuar policia, pasi nuk kishin qenë të vulosura.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Dejan Veljkoviq kishte filluar ta kërcënonte të dëmtuarin Jugosllav Andrik, se do ta thërret një person që do t`ia djegë kamionin nëse nuk ia jep paratë, ose do ta thërret vëllain e tij polic, për t`i marrë paratë.

Pastaj, siç thuhet në aktakuzë, Veljkoviq kishte thirrur në telefon policinë, e që zyrtari policor Nebojsha Vukojeviq, e kishte kapur për dore të dëmtuarin Jugosllav Andrik, i cili kishte qenë në kamion ku e kishte ndihmuar edhe kolegu i tij, Sreqko Janicijeviq.

Të pandehurit, sipas aktakuzës, e kishin tërhequr të dëmtuarin deri te automjeti i policisë dhe e kishin detyruar atë që t`ia jep paratë dëshmitarit Veljkoviq, ose do ta dërgojnë në gjykatë në Vushtrri, ose përndryshe nuk do ta lëshojnë nga vendi ku ishte.

Siç thuhet në aktakuzë, i dëmtuari nën presionin e policisë, i kishte nxjerr nga xhepi paratë në shumë prej 360 euro dhe ia kishte dhënë Veljkoviqit, me ç` rasti ky i fundit i kishte thënë policisë “lirojeni tani Jugosllavin”.

Me këtë, Vukojeviq dhe Janicjijeviq, po akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par 2 pika 2.1 lidhur me par 1 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi