Dy zyrtarët doganorë mohojnë fajësinë për keqpërdorim detyre, dy të tjerët refuzojnë të deklarohen

Amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Maj 15, 2019

Mitrovicë – Dy zyrtarët doganorë Marko Mlladenoviq dhe Bekim Gashi, janë deklaruar të pafajshëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Ndërsa, të akuzuarit për shmangie nga pagesat e detyrueshme doganore, Filip Filipoviq dhe Milan Stojanoviq, kanë refuzuar të deklarohen rreth fajësisë apo pafajësisë.

Filipoviq dhe Stojanoviq, akuzohen se në pikë kalimin kufitar në Jarinje-Leposaviq, i janë shmangur pagesës doganore, e ndërsa Mlladenoviq dhe Gashi, si zyrtarë doganorë, akuzohen se përkundër kësaj, kanë lëshuar kamionin me mallra të pazhdoganuara duke i shkaktuar dëm Republikës së Kosovës në vlerë prej 12.622.86 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, pas njoftimit me të drejtat e tyre, Filipoviq dhe Stojanoviq, kanë kërkuar avokatë mbrojtës, mirëpo pasi që nuk i plotësonin kushtet për mbrojtje me shpenzime publike, ata janë mbrojtur në heshtje dhe kanë deklaruar se seancën tjetër do të sigurojnë mbrojtës privat.

Lidhur me mos deklarimin e tyre për fajësinë, gjykatësi i rastit, Burim Ademi, ka thënë se sipas ligjit mos deklarimi nënkupton mos pranim të fajësisë.

Në këto rrethana, gjykatësi Ademi, i ka njoftuar të palët se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet e tyre ndaj provave si dhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës.

Sipas gjykatësit Ademi, shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet, por ka thënë se do t`i kërkojë prokurorit të përgjigjet me shkrim lidhur me kundërshtimet dhe kërkesat, e që pastaj do të vendosë jashtë seancës, kurse për vendimin, ai tha se do t`i njoftojë palët me kohë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 21 shtator 2016, Filip Filipoviq dhe Milan Stojanoviq , akuzohen se më 19 shtator 2014, rreth orës 17:45, në Leposaviq, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore” nga neni 318 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Bazuar në aktakuzë, kjo vepër penale është kryer në atë mënyrë që i pandehuri Milan Stojanoviq,  në cilësinë e përgjegjësit të firmës “Telekomunikacia plus 028”, ndërsa i pandehuri Filip Filipoviq si vozitës i kamionit, në pikëkalimin kufitar në Jarinje-Leposaviq, kanë zhdoganuar mallin-detergjent dhe pelena sipas DUD-it, ndërkaq iu kanë shmangur zhdoganimit të mallrave- kozmetikë, “zhileta”, detergjent dhe “pampers”, me ç’rast i kanë ikur pagesës së detyrimeve doganore në vlerë prej 12.622.86 euro.

Ndërsa, në pikën e dytë të aktakuzës, Marko Mlladenoviq dhe Bekim Gashi, akuzohen se në datën e njëjtë si në pikën e parë të aktakuzës, në pikën kufitare Jarinje-Leposaviq, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim që tjetrit t’i sjellin përfitim pasuror.

Sipas aktakuzës, i akuzuari  Mlladenoviq, në cilësinë e udhëheqësit të ndërrimit dhe i pandehuri Bekim Gashi, përgjegjës në kamionin e markës “TAM 1300 T 11”, nuk e kanë kontrolluar në mënyrë detale në pikën doganore, por vetëm në mënyrë vizuele e më pas e lëshojnë atë, me ç’rast kamioni të cilin e drejtonte i akuzuari Filipoviq është ndaluar në Leposaviq nga ana e Policisë dhe pas verifikimit të mallit është konstatuar se kamioni ka pasur më tepër mall se që është deklaruar për zhdoganim, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës, humbje në vlerë prej 12.622.86 euro.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi