Dy zyrtarët doganorë lirohen nga akuza për korrupsion

Raporton: Aurela MERLAKU

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtine ka shpallur aktgjykim lirues ndaj dy zyrtarëve doganorë, Xhevat Lajçi dhe Liridon Hashani, të cilët akuzoheshin se kishin marrë ryshfet nga i akuzuari Izet Dibrani, në vlerë prej 650 euro, të cilat sipas prokurorisë, i kishin ndarë mes vete nga 325 euro, për të bërë shmangie të kontrollit doganor për mallin me vlerë prej 11 mijë e 54 euro.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarve u shpall të premten nga gjykatësja Fatime Dermaku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, dy të akuzuarit lirohen nga akuzat ngase nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa, për të akuzuarin Izet Dibrani është refuzuar akuza pasi që për veprat penale për të cilat akuzohej ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

E dëmtuara, Dogana e Kosovës për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest juridiko-civil.

Ndërsa, palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 15 ditësh.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 2 dhjetor 2016, i kishte dënuar me nga dhjetë (10) muaj burgim të akuzuarit Xhevat Lajçin dhe Liridon Hashani, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe me dhjetë (10) muaj burgim të akuzuarin Izet Dibranin për kontrabandim të mallit dhe shmangie nga pagesat doganore në bashkëkryerje.

Po ashtu, të akuzuarin Dibrani e kishte liruar nga akuza për veprën penale dhënia e ryshfetit kurse të akuzuarit Lajçi dhe Hashani për veprën penale të marrjes së ryshfetit në bashkëkryerje. Kurse, të akuzuarit Shema Xhafën dhe Avdyl Selmanin, i kishte shpallur të pafajshëm.

Në qershor të vitit 2017, Gjykata e Apelit kishte vendosur që të akuzuarit Dibrani, Lajçi dhe Hashani, t’ua zbuste dënimin në nëntë muaj burg, ndërsa vendimi i shkallës së parë sa i përket lirimit të të gjithë të akuzuarve kishte mbetur i pandryshuar.

Mirëpo, në prill të vitit 2018, Gjykata Supreme i kishte anuluar aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim në shkallë të parë.

Sipas vendimit të Gjykatës Supremes, dispozitivi i aktgjykimit i shkallës së parë nuk është i kuptueshëm, ngase nga i njëjti nuk mund të kuptohet bashkëkryerja e të dënuarve.

Aty thuhet se nga dispozitivi nuk mund të kuptohet se a bëhet fjalë për mallin e tërësishëm në të tre furgona apo vetëm në atë që e ka vozitur i dënuari Dibrani.

Sipas Supremes edhe dispozitivi i Gjykatës Themelore që ka të bëjë me veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare për të cilën janë shpallur fajtorë të akuzuarit Lajçi dhe Hashani, është i paqartë, sepse në përshkrimin faktik të veprës penale nuk precizohet bashkëkryerja, por në cilësimin juridik të veprës penale ceket se vepra është kryer në bashkëkryerje.

Sipas Gjykatës Supremes, të njëjtat shkelje i ka përsëritur edhe Gjykata e Apelit, prandaj këto paraqesin shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, çka dy vendimet e gjykatave të shkallëve më të ulëta, i bëjnë juridikisht jo të qëndrueshme dhe për këtë arsye rasti është kthyer në pikën zero.

Sipas aktakuzës të ngritur më 6 prill 2016 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, me 1 mars 2016, në pikën kufitare në Merdare të akuzuarit Dibrani, Blakaj dhe Xhafa, pas marrëveshjes paraprake nuk e kishin deklaruar mallin e ngarkuar në një furgon, të cilin e kishte drejtuar i akuzuari Dibrani.

Ndërsa, të akuzuarit Blakaj dhe Xhafa, me furgonët e tyre kishin kontrabanduar mall të cilin e kishin sjell nga Suedia për në Kosovë, por më të arritur në Merdare, siç thuhet në aktakuzë, iu kishin dhënë ryshfet 650 euro zyrtarëve doganorë Hashani dhe Lajçi, ku të akuzuarit u ishin shmangur kontrollit doganor për mallin me vlerë prej 11.054,90 euro.

Sipas kësaj aktakuze, i akuzuari Dibrani për mallin në vlerë 1,331.50 euro, i është shmangur pagesës së tarifave të detyrueshme doganore në vlerë prej 390.79 euro, i akuzuari Blakaj për vlerën e mallit 3.726,50 euro, i është shmangur pagesës në vlerë prej 1,110.50 euro.

Kurse, i akuzuari Xhafa thuhej se për vlerën e mallit 5.929.00 i është shmangur pagesës në vlerë prej 1.790,44 euro.

Për këto veprime, zyrtarët doganorë Lajçi dhe Hashani, akuzoheshin se pasi kishin kontrolluar tre furgonët me mall të të akuzuarve Dibrani, Blakaj, dhe Xhafa, iu kishin mundësuar atyre që t’i kalojnë automjetet e ngarkuar me mall në vlerë prej 11,054.90 euro, pa e bërë pagesën obligative doganore.

Lajçi dhe Hashani, sipas aktakuzës, kishin marrë ryshfet nga i akuzuari Dibrani në vlerë prej 650 euro, të cilat para i kishin ndarë mes vete nga 325 euro.

Ndërkaq, Avdyl Selmani, akuzohej se iu kishte ndihmuar të akuzuarve Dibrani, Blakaj dhe Xhafa, ku pas kalimit të mallit në Kosovë kishte vozitur para furgonëve të të akuzuarve, duke i lajmëruar për kontrollet policore apo doganore.

Prokuroria të akuzuarit Dibrani, Blakaj dhe Xhafa, i ka ngarkuar me veprat penale “kontrabandim i mallit”, “dhënie ryshfeti” dhe “shmangja nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore”.

Të akuzuarit Lajçi dhe Hashani, prokuroria  i ka ngarkuar me veprat penale “marrje ryshfeti” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa, të akuzuarin Avdyl Selmani, prokuroria e ka ngarkuar me veprën penale “ndihmë për kryerjen e veprave penale kontrabandim i mallit” dhe veprës penale “shmangia nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore”. /Betimipërdrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë