Dy zyrtarë policorë u lënduan gjatë protestës së veteranëve, policia thotë se nuk përdori gaz lotsjellës

Raporton: Albijona HOXHAJ

(Përditësuar, ora 12:40)- Policia e Kosovës (PK) njofton se nuk ka përdorur gaz lotsjellës në protestën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), por dyshohet se e njëjta është hedhur nga protestuesit.

Përmes një komunikate për medie, PK thotë se kjo protestë nuk ishte lajmëruar në polici dhe se në të njëjtën janë lënduar dy zyrtarë policorë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Sot, rreth orës 10:00 para Kuvendit të Republikës së Kosovës ka filluar të mbahet protesta e pa lajmëruar në polici, e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për të shprehur pakënaqësitë e tyre dhe sipas tyre për ta kundërshtuar ndryshimin për heqjen e kategorisë në lidhje me pagën minimale. Sipas detyrës zyrtare, Policia e Kosovës është kujdesur për mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimin e sigurisë për protestuesit dhe për objektet zyrtare”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, gjatë protestës, disa nga protestuesit kanë tentuar me forcë të depërtojnë, t’i dëmtojnë dyert e Parlamentit për të hyrë brenda si dhe kanë hedhur mjete të ndryshme të forta, lloje të gazit/tymit në drejtim të zyrtarëve të PK-së.

“Policia e Kosovës, me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik, informon dhe njëherit demanton shkrimet e publikuara në portale ku thuhet se kinse Policia ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, se në asnjë rast apo rrethanë nuk ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, por dyshohet se lloji i gazit/tymit, është hedhur nga persona/protestues brenda masës. Bazuar në informacionet e deritanishme, si pasojë e sulmit dhe hedhjes së mjeteve të ndryshme ndaj zyrtarëve policorë, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme, të cilëve iu është ofruar tretmani mjekësor”, thuhet tutje.

Po ashtu, sipas policisë, nga informacionet e deritanishme një qytetarë ka kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e gazit/tymit të hedhur

 

Protestuesit e OVL-UÇK-së tentojnë të futen brenda objektit të Kuvendit, ndërhyn policia dhe përdoret gaz lotsjellës

Prishtinë- Pjesëtarët e shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në protestën e së hënës, kanë tentuar të futen brenda objektit të Kuvendit të Kosovës, por më pas ka ndërhyrë policia dhe është hedhur edhe gaz lotsjellës.

Protestuesit përmes kësaj proteste, po kundërshtojnë mospërfshirjen e tyre në Projektligjin për Paga, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Pasi tentuan të hyjnë me forcë në objektin e Kuvendit, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka bërë kordonin, kurse është përdorur edhe gaz lotsjellës.

Në këtë protestë, protestuesit iu kanë bërë thirrje deputetëve që t’iu bashkohen atyre në protestë, për të kërkuar që të realizohen kërkesat e tyre, ndërsa thanë se nuk do të prekin dhe as thyejnë asgjë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, ka thënë se janë ata që e kanë sjellë lirinë dhe se të gjitha ato që i gëzojnë qytetarët sot, janë rezultat i luftës së tyre për liri.

“Na jemi shumë, sepse na jemi ata që e kemi bo luften, kemi sjellë lirinë. Ju keni të drejtë, por duhet ta dini që këto institucione, këto rrugë, këta policë, janë tonat, janë rezultat i gjakut tonë, mos gaboni me dëmtu kurgjo, me prek naj pemë apo institucion”, tha Berisha. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë