Dy vjet e tre muaj burg në rastin e Spitalit “Heart” në Gjakovë

Raporton: Adem KRASNIQI

Gjakovë – Kryetari i trupit gjykues Shaqir Zika, shpalli aktgjykim dënues për Hajrullah Binakaj me dy vjet e tre muaj burg, për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”,  kurse për të akuzuarin tjetër Zeqë Kuqi shpalli aktgjykim lirues.

Gjyqtari Zika, për të akuzuarin Zeqë Kuqi tha se lirohet nga akuza sepse gjatë shqyrtimit të provave dhe marrjes në pyetje të dëshmitarëve nuk është vërtetuar se i njëjti e ka kryer veprën penale me të cilën e ngarkon aktakuza.

Ndryshe, ky gjykimi zhvillohej në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, në bazë të cilës i akuzuari Hajrullah Binakaj akuzohej se gjatë periudhës kohore 2007 – 2012, në cilësi të menaxherit dhe pronarit të Spitalit ‘Heart’, pa e kryer Fakultetin e Mjekësisë ka dhënë ndihmë mjekësore me metoda të papërshtatshme të mjekimit. Gjithashtu, më 29 korrik 2008, në cilësi të mjekut kardiolog dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka marr 18.000,00 euro për mjekimin e pacientëve. Gjithashtu në periudhën 2005 – 2012, me qëllim të shmangies nga tatimi i përcaktuar me ligj, nuk ka deklaruar të ardhurat e tij nga spitali ‘Heart’ në Gjakovë.

I akuzuari tjetër Zeqë kuqi akuzohej nga prokuroria se në periudhën 25 maj 2012 deri më 12 prill 2012, në cilësi të Drejtorit të Spitalit ‘Heart’ u ka dhënë ndihmë mjekësore pacientëve, duke përdorur metodë të papërshtatshme të mjekimit. Gjithashtu, aktakuza e ngarkonte se nga viti 2009 – 2012 me qëllim të shmangies nga tatimi, nuk ka dhënë informata lidhur me të ardhurat e tij.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë