Dy vjet e gjysmë burg dhe 800 euro gjobë ndaj të akuzuarit që pranoi fajësinë për vjedhje të rëndë

Djellza
Author

Raporton: Djellza ZYHRANI

Janar 20, 2020

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, të hënën, e ka dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burg dhe 800 euro gjobë të akuzuarin për vjedhje të rëndë dhe vjedhje të rëndë në tentativë, Bajram Morava.

Për veprën e parë penale, ai është dënuar me një vit e gjashtë muaj burg, si dhe 500 euro gjobë, ndërsa për veprën e dytë, ai është dënuar me një vit e dy muaj burg, si dhe 300 euro gjobë.

Më pas, ndaj tij është shqiptuar dënim unik prej dy vjetësh e gjashtë muajsh burg, si dhe 800 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë dënim, atij do t`i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 24 dhjetorit 2019, e deri me 20 janar 2020.

Krahas kësaj, ai është obliguar të paguajë edhe 30 euro për paushallin gjyqësor dhe 30 euro në emër të kompensimit të viktimave.

Këtë aktgjykim e ka shpallur gjykatësja Lidija Vuqoreviq, pas paraprakisht i akuzuari e ka pranuar fajësinë.

Sipas gjykatëses, i pandehuri fajësinë e kishte pranuar pas konsultimit të mjaftueshëm me mbrojtësin e tij, avokatin Berat Peci, dhe të njëjtën e kishte mbështetur prokuroja Natasha Taniq.

Gjykatësja Vuqoreviq, ka deklaruar se palët kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor, ndërsa të dëmtuarën e ka udhëzuar në kontest civil.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 16 janar 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj Bajram Morava.

Sipas aktakuzës, Morava më 24 dhjetor 2019, në Mitrovicë, në sallonin për prerjen e flokëve “Te Burhani”, kishte marrë 6 aparate për prerje të flokëve si dhe 6 karikues të këtyre aparateve, një telefon “Iphone 5”, një telefon “Nokia”, një pako me 10 copë sapunë për rroje “Arko”, një pako me pjesë rezervë të makinave të gjitha në vlerë prej 500 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”, nga neni 315, paragrafi 1, pika 1.1të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i pandehuri të njëjtën ditë, në Mitrovicë, e kishte thyer derën e hyrjes të lokalit “Hekraria Burimi”, dhe në momentin kur kishte hyrë ishte aktivizuar alarmi, me ç’ rast kishte arritur sigurimi dhe policia.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje e rëndë në tentativë”, nga neni 315, paragrafi 1 pika 1.1 në lidhje me nenin 28 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi