Dy vjet burgim me kusht për ish-drejtorin e “Eurometal-it” për përvetësim gjatë detyrës zyrtare

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – I pandehuri Nebih Jashari i akuzuar për veprën penale “përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës”,  u dënua me dy vite burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në qoftë se i pandehuri nuk kryen vepër penale brenda periudhës kohore prej dy vitesh.

Shpallja e aktgjykimit u bë nga trupi gjykues i kryesuar nga Ibrahim Idrizi, të premten në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Tani i dënuari u obligua që palës së dëmtuar Agjensionit Kosovar të Privatizimit (AKP), të i kompensoj dëmin e shkaktuar në vlerë prej 49,339,67 euro, si dhe të paguaj shpenzimet procedurale në shumë prej 750 eurove.

Kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi, deklaroi se me rastin e matjes dhe caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit janë marrë për bazë rrethanat lehtësuese, si fakti që ka kaluar kohë mjaft e gjatë që nga kryerja e veprës penale deri në shpalljen e aktgjykimit (2002 – 2016), personaliteti i të akuzuarit dhe gjendja shëndetësore e tij. Ndërsa si rrethanë rënduese Idrizi tha se është marrë fakti se i është shkaktuar dëm në vlerë mjaftë të lartë AKP-së.

Jashari akuzohej edhe për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare, mirëpo prokurori i çështjes Rasim Maloku, ka bërë ricilësimin e aktakuzës dhe procedura ka vazhduar për veprën penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës. Në çështjen penale të zhvilluar kundër tij, i pandehuri është deklaruar i pafajshëm dhe nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i ngarkohej me aktin akuzues.

Sipas aktakuzës së ish-Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, i pandehuri Nebih Jashari akuzohet për veprën penale “shpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 339 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës, sepse në cilësinë e personit zyrtar, drejtor i NSH “Eurometal”, me seli në Ferizaj, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka shpërdorur pozitën zyrtare dhe ndërmarrjes “Eurometal” i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë