Dy vjet burg ndaj të akuzuarit që pranoi fajësinë për aksidentin ku me ekskavator kishte goditur për vdekje një fëmijë

Gazmend Hasanaj foto4
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Gusht 9, 2019

Gjakovë – Dy vjet burgim efektiv është dënimi të cilin ia ka shqiptuar Gjykata Themelore në Gjakovë, të akuzuarit për rrezikim të trafikut publik, Gazmend Hasanaj.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Mentor Bajraktari, të akuzuarit Hasanaj do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 1 korriku i këtij viti.

Paraprakisht, para shpalljes së aktgjykimit, në seancën fillestare të mbajtur të hënën, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Deshirë Jusaj, i akuzuari Hasanaj deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

“Më vjen shumë keq për rastin që ka ndodhur dhe fillimisht dua t’i shprehi ngushëllime familjes pasi që më parë nuk kam pasur mundësi, kërkoj falje publikisht për rastin që ka ndodhur, dhe më mirë të ishte në atë rast djali im se djali i Shyqes”, tha i akuzuari Hasanaj.

Prokurorja Deshirë Jusaj, deklaroi se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Edhe prindërit e tani të ndjerit, deklaruan se nuk e kundërshtojnë pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit dhe se rastin ia kanë falur, ndërsa sa i përket kërkesës pasurore juridike kërkuan që të udhëzohen në kontest civil.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Meshari Selimaj, deklaroi se pranimin e fajësisë i akuzuari e ka bërë pas konsultimit paraprak me të dhe se pranimi i fajësisë i ka paraprirë një sinqeriteti të vazhdueshëm nga ana e të pandehurit qysh nga fillimi i procedurës penale

Ai shtoi se Gjykata gjatë shqiptimit të dënimit duhet të ketë parasysh jo vetëm pranimin e fajësisë, por edhe pendimin e të akuzuarit dhe se kjo ngjarje e ka goditur rëndë edhe vetë të akuzuarin.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Gazmend Hasanaj po akuzohet se më 1 korrik 2019, rreth orës 19:10 në fshatin Skivjan të Gjakovës, në rrugën “Pavarësia”, duke e drejtuar mjetin e tij të punës, ekskavatorin, pa targa të regjistrimit dhe pa leje përkatëse për të, ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e të dëmtuarit, tash të ndjerit, përkatësisht fëmijës G.Sh.

Siç përshkruhet në aktakuzë, aksidenti ka ndodhur në atë mënyrë që duke e drejtuar ekskavatorin në kundërshtim me Ligjin për Rregullat Trafikun Publik, me të arritur në brendi të fshatit dhe gjatë lëvizjes nëpër fshat dhe me t’u afruar tek shtëpia e Miftar Shoshit, nuk e vëren këmbësorin-fëmijën që gjendej në skajin e djathtë të rrugës të anës së tij, ashtu që gjersa ka lëvizur me mjetin e punës, me ekskavator e ka goditur në kokë dhe trup me rrotën e parë të anës së djathtë të pjesës së përparme tani të ndjerin G.Sh, i cili më pas ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes nga lëndimet e marra, e të konstatuara nga Raporti i QKMF-së të ekipit emergjent.

Për këtë, po akuzohej se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik” nga neni 370 parag.9 lidhur me parag6-1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi