Dy vjet burg ndaj të akuzuarit për aksidentin me fatalitet që kishte ndodhur para 10 vjetësh

pallati-1-620x275
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Maj 14, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me dy vjet burg efektiv, Naser Azemin, i cili akuzohej për aksidentin që kishte ndodhur në prill të vitit 2009 në Prishtinë, nga i cili kishte mbetur e vdekur këmbësorja e mitur, A.J.

Aktgjykimin e ka shpallur gjykatësja e çështjes, Lumnije Krasniqi, sipas të cilës, të akuzuarit Azemi, do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Gjykatësja Krasniqi ka thënë se ndaj të akuzuarit në shqiptimin e dënimit si rrethanë lehtësuese është marrë koha e kaluar nga kryerja e veprës penale, si dhe pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit.

“Kryesisht dënimi është koha e kaluar nga koha e kryerjes, për arsye se rrethana rënduese ka mjaft, është shkel në zebër, viktima është e ndjeshme. Rrethanë posaçërisht lehtësuese është pranimi i fajësisë, megjithëse është bo në fund pranimi i fajësisë, kryesisht koha e kaluar ka ndiku te lartësia e dënimit, kanë kalu 10 vjet kur është kry vepra penale”, tha Krasniqi.

I akuzuari Azemi është obliguar që të paguajë shpenzimet procedurale, për aq sa do të bëhen sipas llogarive përfundimtare në emër të gjykatës, dhe në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 50 euro.

Pala e dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Sipas gjykatëses Krasniqi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Ndryshe, ish-Prokuroria Publike e Qarkut në Prishtinë, më 12 maj 2010, kishte ngritur aktakuzë ndaj Naser Azemit, të cilin e akuzonte se më 30 prill 2009, në rrugën “Nazim Gafurri”, në Prishtinë, ka shkelur Ligjin mbi Trafikun Publik dhe ka rrezikuar atë dhe jetën e njerëzve.

Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që pasi ishte kyçur me automjetin e tij transportues, kamionit “Iveco-Magirus”, në rrugën kryesore, e cila të çon në drejtimin e Gërmisë, me një shpejtësi para aksidentit rreth 5 km/h, dhe pasi që kishte arritur afër kafenesë “Andora”, duke mos iu përshtatur shpejtësisë së lëvizjes së automjetit, kushteve në rrugë, gjegjësisht duke mos i kushtuar kujdesin e duhur pjesëtarëve të tjerë në komunikacion, me pjesën e parë të anës së majtë të automjetit, e ka goditur këmbësoren, fëmijën A.J.

Sipas aktakuzës, në ato momente ajo ishte duke e kaluar rrugën në vendkalim për këmbësorë, me ç’rast pas goditjes me kamion asaj i ishin shkaktuar asaj lëndime vdekjeprurëse, e cila më  pastaj edhe përkundër tretmanit mjekësor, kishte ndërruar jetë në QKUK në Prishtinë.

Me këto veprime, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik të  parashikuar”, nga neni 297 par.5 lidhur me par.1 të Kodit të Përkohshëm Penal. /Betimipërdrejtësi