Dy vjet burg me kusht ndaj të akuzuarit që pranoi fajësinë për aksidentin fatal të 2014-ës

aaa
Author

Raporton: Egzon HALILI

Janar 14, 2020

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burgim me kusht të akuzuarin për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, Agim Tahiri.

Ai akuzohet se më 22 mars 2014, në magjistralen Mitrovicë – Prishtinë, e kishte goditur me veturë tani të ndjerin, i cili ishte duke e kaluar rrugën, në vendin e ndaluar për këmbësorë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi i rastit, Hanefi Jashari, të akuzuarit nuk do t’i ekzekutohet dënimi me burgim, nëse nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej dy vjetësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Tahiri është ngarkuar edhe me pagesën e paushallit gjyqësor në shumën prej 30 euro, për ekspertizën mjekoligjore 40 euro, si dhe në emër të super ekspertizës shumën prej 450 euro.

Ndërsa, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Gjykatësi Jashari, bëri të ditur se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Para se të shpallet aktgjykimi, i akuzuari Tahiri, e ka pranuar fajësinë, i cili nuk është kundërshtuar nga mbrojtësi i tij sipas autorizimit, avokati Burhan Qosa dhe as nga prokurorja Jehona Grantolli dhe më pas është aprovuar nga gjykatësi Jashari.

Gjatë kësaj seance është dhënë edhe fjala përfundimtare, ku prokurorja Grantolli ka deklaruar se ekziston dyshimi i mirë bazuar se i akuzuari Tahiri, është kryes i veprës penale, me të cilën është ngarkuar dhe ka kërkuar që i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Përfaqësuesi i të ndjerit I.B, djali i tij, Habib Basholli, ka thënë se parashtron kërkesë pasurore juridike.

Kurse, avokati Qosa, ka kërkuar që me rastin e aktgjykimit, të bëhet zbutje e jashtëzakonshme e dënimit, që klientit të tij t’i shqiptohet një dënim me kusht, me arsyetimin se ka të bëjë me një vepër penale e cila kryhet nga pakujdesia.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 10 mars 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Agim Tahiri për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, nga neni 378, paragrafi 9, lidhur me paragrafin 6 të KRPK-së.

Ai akuzohet se më 22 mars 2014, në magjistralen Mitrovicë – Prishtinë, pikërisht përball kazermës së FSK-së, ka shkaktuar aksident trafiku, me pasoja fatale, me ç’rast ka humbur jetën I.B.

Sipas aktakuzës, derisa i akuzuari Tahiri, drejtonte automjetin e tipit “Audi A8”, kur arrin në  vendin e lartcekur, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, kushteve dhe rrethanave në rrugë dhe në çastin kur tani i ndjeri I.B, ishte duke kaluar rrugën nga ana e djathtë në të majtë, kalimin e rrugës e ka filluar në vendin ku një veprim i tillë ka qenë i ndaluar, (rruga me ndarje fizike dhe mbrojtëse anësore në të dy anët dhe nuk ka pasur vendkalim të shënuar për këmbësor).

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se me pjesën e përparme të automjetit të tij e godet në këmbën e majtë këmbësorin, duke e përplasur në rrugë, ashtu që nga goditja, pëson lëndime të rënda trupore, i cili dërgohet në Qendrën Emergjente të QKUK-së, në Prishtinë, ku nga ana e mjekëve konstatohet vdekja e tij dhe atë rreth orës 22:48. /Betimipërdrejtësi