Dy vjet burg me kusht dhe 500 euro gjobë ndaj të akuzuarit për kontrabandim me migrantë

73142577_750134685410922_4352766882810429440_n
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Nëntor 7, 2019

 


Gjakovë – Gjykata Themelore në Gjakovë, të enjten, e ka dënuar me dy vjet burgim me kusht dhe 500 euro gjobë të akuzuarin për kontrabandim me migrantë, Bashkim Isufi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika, dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen veprën tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej dy vjetësh.

Ndërsa, i akuzuari gjobën është i obliguar që ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur më 6 nëntor, i akuzuari Isufi e kishte pranuar fajësinë.

Në këtë rast, i akuzuar ka qenë edhe Sali Krasniqi, mirëpo ai pas pranimit të fajit, nga Gjykata Themelore në Gjakovë, në maj të këtij viti, ishte dënuar me dy vjet burgim me kusht dhe 500 euro gjobë.

Ndërsa, rasti ndaj të akuzuarit Bashkim Isufi ishte veçuar për shkak të mos sigurimit të prezencës së tij.

Sipas aktakuzës së ish-Prokurorisë Publike të Qarkut në Pejë, të ngritur më 16 qershor 2008, Bashkim Isufi dhe Sali Krasniqi ngarkohen me veprën penale “kontrabandim me migrantë”, nga neni 138, paragrafi1, lidhur me nenin 23 të KPPK-së.

Sipas aktakuzës, më 16 shkurt 2008, në Gjakovë, me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm të akuzuarit kanë marrë pjesë në kontrabandim me migrantë.

Në aktakuzë thuhet se në ditën kritike të pandehurit janë takuar me të dëmtuarin Agron Hoti dhe vëllain e tij, në lokalin e quajtur “Oita 4” në Gjakovë, ku të njëjtit janë marrë vesh për sasinë e të hollave prej 2800 euro, që ta dërgojnë atë për në Itali, me ç’rast i dëmtuari përmes mikut të tij, ia ka paguar shumën prej 400 euro, si dhe një telefon mobil në vlerë prej 400 euro, e krejt  këtë me qëllim që i dëmtuari të shkojë në Itali ku dhe është nisur, por është ndalur dhe kapur nga ana e policisë boshnjake në qytetin Vellika Klladusha të Bosnjës. /BetimipërDrejtësi