Dy të akuzuarit për terrorizëm dhe vepra tjera nuk sillen nga Dubrava, dështon seanca e shqyrtimit të ankesave në Apel

Lavdim Bajraktari - Rasti Ardian Mehmeti etj. - 14.05.2019
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Maj 14, 2019

Prishtinë – Ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit të ankesave në Gjykatën e Apelit, në rastin e të akuzuarve për terrorizëm, Ardian Mehmeti, Genc Selimi, Nuredin Sylejmani dhe Valon Shala.

Shkak i mos mbajtjes së seancës së paraparë për të martën në ora 10:00, ishte mos sjellja në gjykatore e dy të akuzuarve, Sylejmani dhe Shala nga Burgu i Dubravës.

Siç tha kryetarja e kolegjit të Apelit për këtë rast, Tonka Berishaj, urdhri për sjelljen e të akuzuarve ishte dorëzuar përmes njësisë së transportit në Lipjan më 19 prill 2019, mirëpo, asnjëri nga dy të akuzuarit Sylejmani dhe Shala nuk janë sjellë për seancë.

Ndërsa, i akuzuari Mehmeti i cili ndodhet në Burgun e Sigurisë së Lartë ishte i pranishëm në seancë ashtu si i akuzuari tjetër, Genc Selimi.

Në seancë nuk prezantoi as prokurori i Apelit, e as mbrojtësi i viktimave, Arlind Popaj, edhe pse sipas gjykatëses Berishaj, të dytë ishin njoftuar me rregull.

Kështu, në mungesë të kushteve ligjore, seanca u shty për 21 maj 2019, ora 10:00, e për të cilën seancë, gjykatësja Berishaj tha se do të njoftohen sërish të akuzuarit që munguan në seancën e së martës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 22 janar 2019, të akuzuarit Ardian Mehmeti, Nuredin Sylejmani, Genc Selimi dhe Valon Shala, i kishte liruar nga akuzat për vepra penale të terrorizmit, derisa i kishte dënuar me mbi 23 vjet burgim si dhe me gjobë, për vepra penale që lidhen me armët.

Ata akuzoheshin se kishin planifikuar sulme terroriste në Kosovë dhe Maqedoni, si dhe për vepra tjera penale.

Ardian Mehmeti, ishte dënuar me shtatë vjet burgim, e 2800 euro gjobë, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll, apo posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe për veprën penale “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Ndaj tij, ishte refuzuar akuza për organizim ose pjesëmarrje në grupe terroriste, dhe veprën penale  mbajtja në pronësi, kontroll, apo posedim të paautorizuar të armëve, pasi që prokurori special, Afrim Shefkiu, ishte tërhequr nga akuza.

Ai ishte liruar edhe nga akuza për kryerjen e veprës terroriste, pasi nuk ishte provuar se ai ka kryer një vepër të tillë penale.

I akuzuari Nuredin Sylejmani, ishte dënuar më gjashtë vjet burgim e 1800 euro gjobë, për veprat penale të armëmbajtjes pa leje dhe për sulm ndaj shtetaseve amerikane.

Sylejmani ishte liruar nga akuza për lehtësim në kryerjen e veprave terroriste, pasi që sipas gjykatës nuk është arritur të provohet se është kryer ajo vepër penale.

Kurse, Valon Shala ishte dënuar me pesë vjet burg e 1800 euro gjobë, për armëmbajtje pa leje, ndërkaq Genc Selimi ishte dënuar më katër vjet e gjashtë muaj burg dhe 3600 euro gjobë, “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnike”.

Ndërsa, Musli Hyseni, ishte dënuar me një vit burgim e 600 euro gjobë për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve” dhe “moslajmërim i veprave penale dhe kryerësve të tyre”

Ai ishte liruar nga akuza për mos lajmërim të veprave penale, pasi nuk ishte provuar se ai ka kryer një vepër të tillë penale.

Të akuzuarve do tu llogaritet koha e kaluar nën masat e sigurisë, ashtu që të akuzuarit Ardian Mehmeti, do t’i llogaritet koha e kaluar në arrest shtëpiak dhe paraburgim, nga 5 nëntor 2015 e deri tani.

Të njëjtit i ishte vazhduar masa e paraburgimit, ndërsa të akuzuarve Valon Shala dhe Nuredin Sylejmani, u është caktuar masa e paraburgimit, e cila do të zgjas deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

Të akuzuarit ishin obliguar të paguajnë shpenzimet procedurale, për secilin veç e veç nga 100 euro, dhe 50 për kompensimin e viktimave të krimit.

Ndërsa, të dëmtuarat Elizabeth Robertson dhe Corryne Joe Ëheelock, ishin udhëzuar në kontest civil.

Sipas vendimit të gjykatës nga të akuzuarit ishin konfiskuar shtatë armë të llojeve dhe kalibrave të ndryshme, si dhe 2.389 municione përfshirë plumba dhe fishekë.

Ndryshe, të akuzuarit vazhdimisht kishin mohuar akuzat se kishin planifikuar sulme terroriste në Kosovë dhe në Maqedoni.

Në seancën e mbajtur me 5 dhjetor të vitit 2018, ishte paraparë shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarve, por Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte rihapur shqyrtimin gjyqësor.

Krahas kësaj, gjykata kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) të identifikojë grupin terrorist, veprimet e të akuzuarve lidhur me përgatitjen e veprave terroriste, dhe materiet eksplozive që dyshohet të jenë improvizuar nga të akuzuarit.

Saktësisht, kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) që të sqarojë pikën 1 të aktakuzës, sa i përket organizimit të veprave terroriste ndaj cilave objekte të sigurisë, me cilin plan të organizuar mirë dhe cilat materie eksplozive janë improvizuar.

Sipas gjykatësit, prokuroria duhet të identifikojë grupin terrorist, pasi që sipas tij, në kohën kur dyshohet të jetë kryer kjo vepër penale, ka ekzistuar një listë e organizatave terroriste.

Prokurori, sipas gjykatësit, duhet të identifikojë dhe precizojë, veprimet e ndërmarra të, identifikuara dhe të pa identifikuara, po ashtu të identifikojë veprimet e të akuzuarit Musli Hyseni, lidhur me atë se si ka qenë i informuar, në cilat takime ka marr pjesë dhe cilët nga të pandehurit e tjerë kanë qenë në dijeni, për identitetin e kryerësve të këtyre veprave penale.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte ngritur aktakuzë më 23 janar 2015, ndaj Ardian Mehmetit, Nuredin Sylejmanit, Genc Selimit, Valon Shalës dhe Musli Hysenit, të cilët akuzohen se gjatë vitit 2013, janë përfshirë në vepra të ndryshme që lidhen me terrorizmin.

Sipas prokurorisë të akuzuarit këto vepra penale i kanë kryer në Kosovë dhe Siri.

Ardian Mehmeti, akuzohet se ka kryer veprat penale “organizimi dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, “vrasje e rendë”, “marrja e pengjeve”,  “rrëmbimi”, “kryerja e veprës terroriste”,  “zjarre vënia”, “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, “shkaktimi  rrezikut të përgjithshëm”,  dhe armëmbajtje pa leje.

Nuredin Sylejmani, akuzohet se ka kryer veprat penale “lehtësimi në kryerjen e terrorizmit”, armëmbajtje pa leje, dhe sulm.

Kurse, Musli Hyseni, ngarkohet nga prokuroria me veprat penale të armëmbajtjes pa leje, moslajmërim të përgatitjes së veprave penale dhe moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre.

Ndërsa, Genc Selimi, akuzohet se ka kryer veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnike”, kurse Valon Shala, akuzohet për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. /Betimipërdrejtësi