Dy të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor deklarohen të pafajshëm, thonë se rrahjen e nisi i dëmtuari

52666797_307259866602910_3355089642587160576_n
Author

Raporton: Vjollca QERIQI

Mars 13, 2019

Lipjan – Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, dy të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, Dren Vorfaj dhe Besnik Lushaj, janë deklaruar të pafajshëm

Të akuzuarit Vorfaj dhe Lushaj, kanë deklaruar se rrahjen në mes tyre e ka filluar vet i dëmtuari, Ardian Shurdhiqi, i cili sipas tyre, e ka sulmuar të akuzuarin e parë Dren Vorfaj me shuplak, dhe se pastaj që të dy kanë filluar ta grushtojnë të dëmtuarin.

Ndërkaq,  dëmtuari Ardian Shurdhiqi, ka deklaruar se dy të akuzuarit ia kishin zënë rrugën dhe e kishin goditur në atë mënyrë, ku i kishin shkaktuar lëndime trupore në dorë si dhe në pjesët e fytyrës në hundë, për çka ka thënë se i ishte dashur të mjekohej në Qendrën Emergjente në Lipjan.

Kurse, prokurori Remzush Latifi, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se me provat e administruara dhe në bazë të dëshmisë së të dëmtuarit Ardian Shurdhiqi, në kohë, vend dhe mënyrë të përshkruar si në dispozitiv, sipas tij shihet se të akuzuarit në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

Ai i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit me një dënim meritor.

Gjykatësi i çështjes Avdirrahman Gashi, pasi bëri administrimin e të gjitha provave në shkresat e lëndës, si dhe deklarimeve të të akuzuarve dhe të dëmtuarit, shpalljen e aktgjykimit e caktoi për  15 mars 2019, në ora 13:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur me 4 maj 2018, të akuzuarit Dren Vorfaj dhe Besnik Lushi në bashkëkryerje, me 25 shkurt 2017, rreth orës 22:50, në Lipjan, për shkak të mosmarrëveshjes paraprake, me dashje që t’i shkaktojnë lëndime trupore, e sulmojnë fizikisht të dëmtuarin Ardian Shurdhiqi.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kanë vepruar në atë mënyrë, ku disa herë me grushte e godasin të dëmtuarin në trup dhe e shtrijnë për toke, me ç ’rast sipas ekspertizës mjekoligjore, i dëmtuari pëson lëndime të lehta trupore, me pasoja të përkohshme me shëndet.

Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale ‘lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188 par.1 nën paragrafi 1.4 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi