Dy të akuzuar për lëndim të lehtë trupor dënohen me kusht, për dy të tjerët shpallet aktgjykim refuzues

IMG_0534
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Nëntor 6, 2019

 

Ferizaj – Gjykata Themelore në Ferizaj, të mërkurën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të akuzuarve për lëndim të lehtë trupor, Nesim dhe Fahri Terziu.

Ata janë dënuar me tre muaj burgim me kusht, por ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse ata nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale brenda një viti.

Po ashtu, secili veç e veç, janë obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 20 euro, si dhe shumën prej 30 euro në emër të kompensimit të fondit të viktimave.

Ndërsa, ndaj dy të akuzuarve të tjerë për të njëjtën vepër penale, Idriz dhe Ylber Terziu, kjo gjykatë ka shpallur aktgjykim refuzues.

I dëmtuari Burim Ademaj, i është bashkëngjitur ndjekjes penale, por nuk ka paraqitur kërkesë pasurore-juridike.

Ndryshe, të akuzuarit Nesim dhe Fahri Terziu kanë pranuar fajësinë në të gjitha fazat e procedurës, ndërsa të akuzuarit Idriz dhe Ylber Terziu janë deklaruar të pafajshëm, për çka edhe prokurorja Mimoza Syla Hyseni hoqi dorë nga ndjekja penale ndaj tyre.

“Ndaj dy të akuzuarve Idriz dhe Ylber Terziu, me asnjë provë nuk është vërtetuar se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen. Andaj, konform nenit 52 të Kodit të Procedurës Penale, tërhiqem nga ndjekja penale për këta dy të akuzuar”, tha Syla Hyseni në fjalën përfundimtare.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 shtator 2017, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, të pandehurit Nesim, Idriz,  Fahri dhe Ylber Terziu, akuzohen se më 3 qershor 2016, rreth orës 21:15, në Ferizaj, e kishin lënduar të dëmtuarin Burim Ademaj, në atë mënyrë që të njëjtin e kishin goditur me grushte dhe shqelma, nga të cilat goditje, Ademaj kishte pësuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme shëndetësore.

Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi