Dy tatimpagues ftohen të dëshmojnë në gjykimin për keqpërdorim detyre ndaj zyrtarit të Komunës së Pejës

10 qershor 2019 foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Qershor 10, 2019

Pejë – Gjykata Themelore në Pejë, ka vendosur që të dëgjohen edhe dy dëshmitarë tjerë në gjykimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndaj zyrtarit të Komunës së Pejës, Haki Kartallozi.

Një vendim i tillë, është marrë në seancën e së hënës nga kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri, pas propozimit të mbrojtësit të të akuzuarit Kartallozi, avokatit Gëzim Kollqaku, që në seancën e radhës të ftohen për t’u dëgjuar Valdet Berisha dhe Jahja Kelmendi.

Zyrtari komunal Haki Kartallozi akuzohet se kishte ndërhyrë në sistem kompjuterik të kolegëve të tij, me qëllim që t’i shlyejë obligimet tatimore të tatimpaguesve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në mesin e personave që pretendohen se u ishin shlyer tatimet janë edhe dëshmitarët Valdet Berisha dhe Jahja Kelmendi.

Në bazë të raportit të ekspertizës rezulton se ndaj tatimpagueseve Valdet Berisha dhe Jahjakemndi u është hequr një pjesë e tatimeve, për të cilat veprime Prokuroria e Pejës pretendon se Kartallozi kishte kryer shlyerjen e tatimeve me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.

Mbrojtësi i të pandehurit Kartallozi, avokati Gëzim Kollqaku tha se thirrja e këtyre dëshmitarëve është e nevojshme ngase sipas tij, është e rëndësishme të vërtetohet nëse i mbrojturi i tij ka lidhje me heqjen e tatimeve në pronë ndaj këtyre dëshmitarëve.

“Duke marrë parasysh se prokurori i çështjes në seancën e kaluar ka hequr dorë nga këta dëshmitarë me arsyetimin se kemi një ekspertizë financiare ku vërtetohen shlyerjet e tatimeve në pronë për këta dëshmitarë, unë pikërisht për këtë çështje mbes pranë propozimit tim për thirrje të dëshmitarëve me qëllim që të vërtetohet se këtyre dëshmitarëve a ju paska hek tatimi në pronë nga Haki Kartallozi apo nga dikush tjetër”, tha avokati Kollqaku.

Ai shtoi se kishte bërë përpjeke për t’i siguruar këta dëshmitarë për seancën e së hënës, mirëpo sipas tij, dëshmitari Naser Belegu ishte jashtë vendit, kurse dëshmitari Valdet Berisha sipas avokatit, ishte në pushim vjetor, ndërkaq, me dëshmitarin Jaha Kelmendi tha se nuk kishte pasur mundësi të bisedonte.

Kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri pas konsultimit mori vendim që të ftohen dëshmitarët Valdet Berisha dhe Jahja Kelmendi, kurse për dëshmitarin Naser Belegu, avokati Kollqaku hoqi dorë për dëgjimin e tij, me arsyetimin e mos zvarritjes së procedurës, sepse i njëjti gjendet jashtë shtetit.

Seanca e radhës është caktuar më 19 dhe 20 gusht 2019, në ora 10:00, në të cilën seancë është e paraparë të dëgjohen dy dëshmitarët e aprovuar, të administrohen provat materiale, të jepet mbrojtja e të pandehurit dhe fjala përfundimtare e palëve në procedurë.

Ndryshe, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 8 shkurt 2018, i akuzuari Kartallozi ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me aktakuzën e ngarkuar nga ana e Prokurorisë Themelore në Pejë.

Sipas aktakuzës të ngritur më 10 nëntor 2017, i pandehuri Haki Kartallozi, akuzohet se prej 14 korrikut 2016, e në vazhdimësi deri më 18 tetor të atij viti, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, si person përgjegjës për komunitete në Komunën e Pejës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka tejkaluar autorizimet ligjore.

Sipas aktakuzës, Kartallozi, përmes disa programeve kompjuterike është futur në fjalëkalimet e zyrtarit për komunitete Gani Toska dhe zyrtares për tatim në pronë Makfirete Limani dhe nga sistemet e tyre kompjuterike ka arritur që të shlyej obligimet tatimore të dëshmitarit Besim Gashi dhe disa tatimpaguesve të tjerë, duke përfituar për vete në mënyrë të kundërligjshme.

Ai akuzohet se buxhetit të Komunës së Pejës i ka shkaktuar dëme në shumën prej 30.000 euro.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer vepër penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së./Betimipërdrejtësi