Dy punëtorë të KEDS-it akuzohen se kundërligjshëm kontrolluan në shtëpinë e të dëmtuarit

86191017_498163177539383_2750077390808940544_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Shkurt 13, 2020

Kamenicë – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, e ka dërguar në Qendrën e Ndërmjetësimit lëndën ndaj të akuzuarve për kontrollim të kundërligjshëm, Valdet Hoxha dhe Xhelal Maliqi.

Një gjë e tillë është vendosur të enjten, në seancën fillestare pas propozimit të të dëmtuarit, Nuhi Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë propozim të të dëmtuarit, nuk e ka kundërshtuar prokurorja Kujtesa Fazliu, duke thënë se si kusht për këtë, të akuzuarit në të kaluarën e tyre nuk duhet të kenë kryer vepra tjetër penale.

Po ashtu, propozimin e të dëmtuarit Berisha nuk e kundërshtuan as të akuzuarit, me mbrojtësit e tyre, avokatët Granit Vokshi dhe Abdulla Aliu.

Lidhur me këtë, gjykatësja Valbonë Dërvodeli, mori aktvendim me anë të së cilit e aprovoi këtë propozim, që çështja penale ndaj të akuzuarve Hoxha dhe Maliqi, të dërgohet në Qendrën e Ndërmjetësimit në Gjilan.

“Nëse brenda afatit ligjor prej 90 ditësh, nuk kemi ndonjë konfirmim për procedurën e ndërmjetësimit, atëherë gjykata do të caktojë shqyrtimin gjyqësor, dhe të gjitha palët do të ftohen në mënyrë të rregullt me ftesa gjyqësore”, tha gjykatësja Dërvodeli.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 23 shkurt 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Valdet Hoxha dhe Xhelal Maliqi, punëtorë të KEDS-it, sektori për harxhime elektrike, Distrikti në Gjilan, me arsyetimin se ata më 23 janar 2018, rreth orës 13:00, në Kamenicë, në shtëpinë e të dëmtuarit Nuhi Berisha, në bashkëveprim, me dashje dhe me qëllim të shkeljes së të drejtave të privatësisë, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, dhe kanë keqpërdorë pozitën dhe autorizimet e tyre.

Sipas aktakuzës, pa leje, urdhëresë dhe autorizim paraprak të organit kompetent, dhe pa pëlqimin e të dëmtuarit, ata në mënyrë të kundërligjshme kanë kontrolluar hapësirën e mbyllur brenda shtëpisë së të dëmtuarit, për të vërtetuar pajisjet elektrike nëse konsumatori është duke e keqpërdorur energjinë elektrike, dhe një gjë të tillë në procesverbalin numër 2405176 të 2 janarit 2018, nuk e kanë evidentuar.

Me këtë, Valdet Hoxha dhe Xhelal Maliqi po akuzohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “kontrollimi i kundërligjshëm”, nga neni 201, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi