Dy policët kufitarë deklarohen të pafajshëm për keqpërdorim detyre

20190412_133928
Author

Raporton: Dhurata RAMOJA

Prill 12, 2019

Gjakovë – Dy policët kufitarë Ismet Deva dhe Bit Shala, janë deklaruar të pafajshëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në seancën fillestare që është mbajtur të premten në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i rastit Ramiz Buzhala, të akuzuarit Deva dhe Shala, kanë deklaruar se nuk ndihen fajtor për veprën penale me të cilën i ngarkon Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Më pas, gjykatësi Shaqir Zika, i ka njoftuar të akuzuarit se brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, mund të paraqesin kundërshtimet për provat e përfshira në aktakuzë dhe kërkesat për hudhjen e aktakuzës.

Shqyrtimi i dytë është caktuar më 20 maj 2019, në ora 10:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur me 20 mars 2019, Ismet Deva dhe Bit Shala, akuzohen se më 6 prill 2018, rreth orës 20:20, në cilësinë e personave zyrtar, zyrtarë policorë në pikëkalimin kufitar në Qafë Prush, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që të sjellin dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme për vete dhe për të tjerët.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që të pandehurit duke ushtruar detyrën zyrtare dhe autorizimin e tyre kanë lejuar të hynin në territorin e Republikës së Kosovës dy automjete të ngarkuara me mallra komerciale, duke mos i regjistruar në sistemin SIMS, dhe atë automjetin e markës “Citroen Jumper Furgon”, të cilin e drejtonte Muhamet Tahiri, në të cilin kishte ngarkuar lloje të ndryshme të perimeve, frutave dhe fidanëve të vogla, si dhe automjetin e markës “Vë Cady Pick Up”, të cilën e drejtonte Bajram Gjoka në të cilin kishte ngarkuar 40 kuti me dredhëza, mallra këto që hynin nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, edhe pse në atë kohë në atë pikëkalim kufitar nuk kishte doganier si kompetent për të vlerësuar dhe lejuar hyrjen e mallrave komerciale.

Sipas aktakuzës, shtetit të Kosovës i kanë shkaktuar dëm material në shumë prej 564.60 euro.

Ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi