Dy nga tre paditësit heqin dorë nga padia me të cilën kërkohet anulimi i vendimit të KGJK-së lidhur me konkursin për gjyqtarë të Gjykatave Themelore

IMG_1094
Author

Raporton: Aurela MERLAKU

Maj 24, 2021

Prishtinë – Në rastin ku po kërkohet anulimi i vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) lidhur me konkursin e vitit 2016 për gjyqtarë të Gjykatave Themelore, dy nga tre paditësit, Arben Dabiqaj dhe Zymer Metaj, kanë hequr dorë nga padia, me arsyetimin se ka kaluar kohë e gjatë që nga parashtrimi i së njëjtës e deri më sot.

Kurse, pranë padisë së ushtruar në Departamentin për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka mbetur paditësi i tretë, Qerim Begolli.

Të njëjtit kanë paditur KGJK-në në vitin 2017, pasi që kishe anuluar vendimin për uljen e pragut të kalueshmërisë lidhur me konkursin e lartpërmendur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas deklarimit të paditësve Dabiqaj dhe Metaj, se tërhiqen nga kjo padi, paditësi Begolli ka kërkuar që të bëjë precizimin e kërkesëpadisë.

“Në pikën 1 aprovohet në tërësi kërkesëpadia e paditësit Qerim Begolli, e parashtruar me 22 mars 2017, kundër të paditurës KGJK. 2. Shpallet i kundërligjshëm vendimi numër 47/2017 i datës 6 mars 2017 i lëshuar nga i padituri KGJK, me të cilin është vendosur në pikën 1 – anulohet vendimi i KGJK-së nr.131/16 i datës 28 tetor 2016, anulohen rezultatet e provimit me shkrim të datës 3 dhe 4 dhjetor 2016 për të gjithë kandidatët që kanë aplikuar në pozitën gjyqtar në Gjykatat Themelore. Në pikën 3 të përsëritet provimi me shkrim vetëm për 75 kandidatët të cilët për testin kualifikues të datës 15 tetor 2016 kanë arritur të sigurojnë 45 ose më shumë pikë. Dhe në pikën 4 vendimi hyn në fuqi me 6 mars 2017, për shkak se i njëjti nuk është i bazuar në ligj dhe aktet tjera nënligjore dhe si i tillë i ka shkaktuar dëm këtu paditësit duke ia shkelur të njëjtit të drejtën e punësimit”, tha Begolli.

Përfaqësuesi i të paditurës, Besim Mustafa, deklaroi se mbetet ne tërësi pranë thënieve në përgjigjen në padi të dhënë me shkrim me 29 mars 2021, si dhe provat dhe dëshmitë e bashkangjitura në përgjigjen në padi, ku në mënyrë të detajuar për secilin pretendim është arsyetimi.

Ai po ashtu deklaroi se pretendimet e palës paditëse janë të pabazuara në tërësi.

Lidhur me pretendimin e parë, vendimin e KGJK-së me nr.47/17 të datës 6 mars 2017 për uljen e pragut të kalueshmërisë në testin kualifikues nga 45 në 40 pikë, Mustafa tha se ideja dhe qëllimi i KGJK-së për këtë vendim ka qenë që të rritet konkurrenca ,për shkak që nga 61 pozita për gjyqtar në pragun për 45 pikë kanë kaluar vetëm 75 kandidatë për gjyqtar, ku pas vlerësimit të mëvonshëm kishte dalë se vendimi i tillë mund të ishte në kundërshtim me parimin kushtetues të barazisë para ligjit konform nenit 27, paragrafi 1, pika 1.

“Organet që nxjerrin një vendim kanë të drejtë që të anulojnë vendimin e tillë, ndërsa kur anulohet vendimi anulohen edhe pasojat juridike të tij. Andaj vendimi i cekur më lartë KGJK 47/2017 është marrë në përputhje me ligjin dhe për të njëjtin kërkoj nga gjykata që të mbetet vendim i ligjshëm dhe i drejtë, i cili është marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha Mustafa.

Pas dëgjimit të tyre, gjykatësi Kreshnik Kaçiu mori aktvendim me të cilin pezulloi procedurën gjyqësore në raport me paditësit Arben Dabiqaj dhe Zymer Metaj, kurse tha se procedura do të vazhdojë vetëm për paditësin e parë, Qerim Begolli.

Pas kësaj, seanca vazhdoi me administrimin e provave dhe fjalët përfundimtare.

Paditësi Qerim Begolli e dorëzoi fjalën përfundimtare në formë të shkruar, me qëllim siç tha ai të ekonomizimit të procedurës .

Ndërsa përfaqësuesi i të paditurës, Besim Mustafa, deklaroi se edhe më tej mbetet pranë përgjigjes në padi si dhe provat dhe dëshmitë e bashkangjitura në përgjigjen në padi, si dhe deklarimin në këtë seancë.

I njëjti i propozoi gjykatës që kërkesëpadia e paditësit të refuzohet si e pabazuar dhe të mbetet në fuqi si vendim i ligjshëm vendimi i nxjerrë nga KGJK me nr. 47/2017 i datës 6 mars 2017.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 17 mars 2017, paditësit Qerim Begolli, Arben Dabiqaj dhe Zymer Metaj kanë paditur KGJK-në, pasi që e njëjta kishe anuluar vendimin për uljen e pragut të kalueshmërisë.

Paditësit kanë konsideruar se vendimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës është jo i drejtë dhe i kundërligjshëm, me arsyetimin se është i bazuar në dispozitat ligjore të cilat janë në kundërshtim me diapozitivin dhe arsyetimin e vendimit, ku në të njëjtat dispozita ligjore në të cilat është i mbështetur vendimi për uljen e pragu të kalueshmërisë është i mbështetur edhe vendimi i atakuar. /BetimipërDrejtësi