Dy nga pesë të akuzuarit për kontrabandim me migrantë e pranojnë fajësinë, nepalezit nuk i sigurohet përkthimi

Sabina
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Mars 14, 2019

Prishtinë – Dy nga pesë të akuzuarit për kontrabandim me migrantë, Qamil dhe Liridon Hyseni, e kanë pranuar fajësinë, në seancën fillestare të së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ndërsa, të pafajshëm janë deklaruar të akuzuarit e tjerë Eran Elshani, Milazim Selmani si dhe shtetasi nepalez Gopal Singh Khadaka.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Ilaz Beqiri, babë e bir, Qamil dhe Liridon Hyseni kanë thënë se pranojnë fajësinë.

“E pranoj fajësinë dhe i premtoj gjykatës që nuk do të përsërisë vepra të ngjashme, s’kemi ditë se kemi shkuar me policë, gjithkush i beson një personi zyrtar. Bashkim Ahmeti ka qenë polic na ka thënë a po vjen me i marrë në Ferizaj do persona, edhe na kemi shku i kemi marrë kaq”, ka thënë i akuzuari Liridon Hyseni.

Me pranimin e fajësisë nga ana e dy të akuzuarve Hyseni, është pajtuar edhe prokurori Beqiri.

Sipas tij, dy të akuzuarit i kishin kuptuar benefitet e pranimit të fajësisë, prandaj i njëjti i propozoi gjykatës që me rastin e matjes së dënimit, të ketë parasysh pranimin e fajësisë si rrethanë lehtësuese, ndërsa propozoi që procedura ndaj tyre të veçohet.

Këtë pranim fajësinë e ka aprovuar edhe gjykatësja Naime Kransiqi-Jashanica, e cila e ka veçuar procedurën ndaj dy të akuzuarve Hyseni, pas pranimit të fajësisë.

Ndërsa, shtetasit nepalez Gopal Singh Khadaka, i cili po akuzohet për veprën penale “kontrabandim me migrantë”, gjatë kohës së mbajtjes së seancës fillestare, nuk i është siguruar fare përkthimi.

Mirëpo, sipas Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës dhe sipas Konventës së Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore është paraparë që një i akuzuar që nuk e kupton ose nuk flet gjuhën e përdorur në gjyq, duhet t’i sigurohet një përkthyes.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica e ka njoftuar të akuzuarin Khadaka se përkthyesi do të vijë në ndërkohë, ndërsa e njoftoi se për seancat e tjera do t’i sigurohet një përkthyes.

Mirëpo, që nga fillimi i seancës gjyqësore e deri në përfundim, të akuzuarit Khadaka nuk i është siguruar asnjë përkthyes nga ana e gjykatës.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Ilaz Beqiri, nepalezi Khadaka duke u ndihmuar nga mbrojtësja e tij, avokatja Fllanza Kadiu nuk e ka pranuar fajësinë.

Mbrojtësja e të akuzuarit Khadaka, avokatja Fllanza Kadiu, ka kërkuar nga prokurori Beqiri që t’ia sigurojë transkriptet e bisedave telefonike të të akuzuarve të nxjerra nga CD-të, pasi sipas saj, përveç këtyre CD-ve, ajo nuk e kishte pranuar ndonjë shkresë tjetër si provë.

Sipas saj, nga këto CD, nuk mund të deshifrohej se çfarë kishte biseduar i mbrojturi i saj me të akuzuarit tjerë.

Kështu, gjykatësja Krasniqi-Jashanica e ka obliguar prokurorin Beqiri që ‘i përmbushë obligimet e parapara sipas Kodit Procedural.

Mirëpo, prokurori Beqiri e ka kundërshtuar këtë, pasi sipas tij, nuk ekzistonin transkriptime të CD-së, dhe se avokatja nuk kishte të drejtë të kërkojë nga prokurori prova të tjera, të cilat as nuk ishin propozuar të administrohen në aktakuzë.

“Sa i përket kërkesës së mbrojtjes për “shpikjen”, e provave të cilat nuk janë propozuar në aktakuzë, ato prova le ti siguron vet mbrojtja, ndërsa sa i përket provave të propozuara në aktakuzë, mbrojta është furnizuar me ato prova dhe ato janë CD-të e bisedave telefonike që kanë pasur të akuzuarit mes vete dhe prokuroria prova të tjera nuk siguron pos ato që i ka propozuar në aktakuzë”, ka thënë prokurori Beqiri.

“Merre landën e madhe i ke transkriptet çka kanë fol, kush ka fol, me kond ka fol, është CD-ja e transkriptuar, Fikrije Krasniqi e ka pasur lëndën”, i është drejtuar gjykatësja Krasniqi-Jashanica prokurorit Beqiri.

Ajo i njoftoi dy të akuzuarit Hyseni të cilët e kishin pranuar fajësinë dhe ndaj të cilëve ishte veçuar procedura se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 20 mars 2019, në ora 09:00.

Ndërkaq, ajo tre të akuzuarve të cilët nuk e kanë pranuar fajësinë Khadaka, Elshani dhe Selmani, i ka njoftuar se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Në këtë rast, kishin qenë të akuzuar edhe Besim Neziri dhe Nikollë Bardheci, por ndaj tyre ishte veçuar procedura, ngase sipas informatave të zyrtarëve policorë të njëjtit gjenden jashtë shtetit.

Ndryshe, 11 seanca fillestare në këtë rast kishin dështuar të mbaheshin.

Konkretisht, nuk kishin arritur të mbaheshin seancat e 7 shkurtit 2019, 24 janarit, 12 shkurtit, 19 marsit, 17 prillit, 10  majit, 8 qershorit, 14 qershorit dhe 6  gushtit, 2 tetorit, si dhe  21 nëntor 2018, ku të gjitha kishin dështuar si pasojë e mungesave të të akuzuarve.

Sipas aktakuzës së përpiluar me 19 dhjetor 2017, i akuzuari Gopal Singh Khadaka, në maj 2012, në mënyrë të kundërligjshme kishte sjellë në Kosovë disa shtetas nepalez, të cilët për një kohë i kishte vendosur në hotel “Evropa” në Gjilan dhe nga aty i kishte marrë tani i gjykuari Idriz Gashi dhe në mënyrë ilegale i ka dërguar në Serbi, me ndihmën e disa personave shtetas të Serbisë, ku Idriz Gashi, pasi i kishte dërguar në Serbi, i’u kishte marrë pasaportat e tyre dhe të njëjtat i ka dorëzuar tek Khadaka.

Ndërsa Eran Elshani po akuzohet se në cilësinë e pronarit të agjensionit turistik “Eran Elshani” me seli në Prizren, gjatë verës së vitit 2012, e në bazë të marrëveshjes paraprake me tani të gjykuarin Lavdim Syla, nëpërmjet linjës së autobusit, Prizren-Beograd, kishte dërguar shtetas Aziatik, nga Kosova në Serbi, të cilët ua kishte sjellë i gjykuari Lavdim Syla, në atë mënyrë që ata persona i kishte vendosur në kabinën e fjetjes së shoferit dhe për këtë nga çdo person kishte marrë nga 200 euro pasi të njëjtit  i kishte dërguar në Beograd, duke i’u siguruar edhe biletat për në Suboticë, si dhe kartelat me numrat e telefonit të Serbisë.

Milazim Selmani po akuzohet se gjatë muajit korrik 2012, në bazë të marrëveshjes paraprake me tani të gjykuarin, Avni Hajrullahun, kishin dërguar tre persona nga Kosova në Mal të Zi, dhe nga Mali i Zi në vendet tjera evropiane dhe për këtë nga secili person kishin marrë nga 2,500 euro, si dhe disa personave tjerë fillimisht iu kanë siguruar viza Çeke dhe pastaj i kishin dërguar në vendet e ndryshme të BE-së, duke marrë nga 3.000 euro.

Qamil dhe Liridon Hyseni, po akuzohen se gjatë muajit prill të vitit 2012, kishin ndihmuar tani të gjykuarit Bashkim Ahmetin, Bashkim Brahën, Avni Shitin, për kontrabandimin e migrantëve me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, duke bartur me veturat e tyre “Golf 3” dhe “Passat”, nga Hani i Elezit në Mitrovicë, shtetas Aziatik, të cilët në territorin e Kosovës i kishin futur tani të gjykuarit Bashkim Braha dhe Avni Shiti.

Për këto veprime, Prokuroria të akuzuarit Khadaka, Eran Elshani dhe Milazim Selmani.
i ngarkon me veprën penale “kontrabandim me migrantë”, ndërsa të akuzuarit Qamil dhe  Liridon Hyseni me veprën penale “ndihma për kryerjen e veprës penale kontrabandimi me migrantë”. /BetimipërDrejtësi