Dy ndërmjetësuesit mohojnë se lëndët i morën me të njohshëm nga zyrtari i gjykatës

Raporton: Albijona HOXHAJ

Pretendimet e ndërmjetësuesit nga Gjilani Ruzhdi Gagica se lëndët e ndërmjetësimit janë ndarë në mënyrë të padrejtë  dhe në mënyre selektive vetëm ndërmjetësuesve Fadil Sinananaj dhe Baki Sylejmanit, janë mohuar këta të fundit.

Ata thonë se palët kanë bërë përzgjedhjen e tyre në përputhje me ligjin. Avokati, njëherësh ndërmjetësuesi Fadil Sinanaj i kontaktuar nga Betimi për Drejtësi, përmes telefonit ka thënë se deri në vitin 2019 ai e ka pasur zyrën e ndërmjetësimit në qendër të Gjilanit, ku ka bërë publicitet të madh, duke ndarë edhe shumë vizitë karta, dhe kjo sipas tij i ka ndihmuar atij që të njihet në Gjilan, duke ndikuar që edhe palët ta zgjedhin atë si ndërmjetësues për zgjidhjen e lëndëve të tyre.

Ai ka mohuar se lëndët ju kanë ndarë atij nga zyrtari Artan Arifi, për shkak të ndonjë preference apo interesi.

“Edhe unë i kam ni këto muhabete e që nuk është e vërtetë, se realisht Artani nuk i ndanë rastet e ndërmjetësimit, po Artani është vetëm një zyrtar aty i gjykatës që e ka caktu gjykata një lloj koordinatori, po rastet e ndërmjetësimit pala vetë i zgjedhe ndërmjetësuesi edhe pala e nënshkruan marrëveshjen që po me pëlqen qeky ndërmjetësues me ja kry ndërmjetësimin”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka arsyetuar pse ka pasur ka pasur lëndë më shumë se ndërmjetësuesit tjerë.

“Unë prej 2014 jam i licensum si ndërmjetësues, deri në vitin 2019 unë e kam pas zyrën e ndërmjetësimit në qendër të Gjilanit, zyrën ndërmjetësues i licensum edhe qashtu kam bo edhe shumë reklamë unë, kam shpërnda shumë vizitkarta që shumë palë e dinë që unë jam ndërmjetësues. Tani jam edhe avokat prej 2019-tës, kështu që shumica e klientëve e dinë që jam edhe ndërmjetësues edhe avokat. Ka edhe ndërmjetësues të tjerë që edhe ata kanë shumë landë, mirëpo në kohen e fundit rastet e ndërmjetësimit sidomos në penale janë kry me procedurë të shpejtë. Prej seancës gjyqësore palët propozojnë ndërmjetësimin edhe qato palë menjëherë shkojnë në zyrën e ndërmjetësimit, ndërmjetësuesi që e ka ndonjë avokat shok, tash avokati thotë po e di që ky është ndërmjetësues edhe qata e propozon, zakonisht qata çka janë qaty për shembull që i njohin palët, i njohin avokatët qata kanë ma shumë për shkak që kanë bo reklamë”, ka shpjeguar ai.

Sinanaj, ka theksuar faktin se kjo nuk ka të bëjë me zyrtarin e Gjykatës Artan Arifi por që janë vetë palët ato që e kanë bërë përzgjedhjen.

“Me Artanin nuk ka fare të bëjë kjo punë, se tash pala që vjen ai patjetër ka me e nënshkru shtojcën numër dy ku e zgjedhe ndërmjetësuesin edhe pajtohet me procedurën e ndërmjetësimit, pajtohet me tarifën, secilin ndërmjetësim unë e kam të tarifum, kam pagu tatim e TVSH për to, as një rast nuk e kam që e kam kry e nuk kam pagu tatim”, është shprehur Sinanaj.

Edhe ndërmjetësuesi Baki Sylejmani, ka mohuar pretendimet se përzgjedhja e tij është bërë nga zyrtari Artan Arifi, por që sipas tij, palët kanë vendosur të zgjedhin atë si ndërmjetësues.

Për më shumë ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi”, ku po trajtohet “Ndarja e dyshimtë e lëndëve të ndërmjetësimit në Gjilan”, në KTV, TVARTA dhe Betimi për Drejtësi./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë