Dy muaj para parashkrimit të veprës së korrupsionit dhe në fund të gjykimit, gjykata aprovon propozimin që të ftohen edhe dy dëshmitarë

Raporton: Anesa HOXHA

Prishtinë- Edhe pse të enjten ishte paraparë që në gjykimin për keqpërdorim të pozitës ndaj referentes së suspenduar të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Graçanicë, Natasha Maksimoviq dhe legalizim të përmbajtjes së pavërtetë ndaj Ismet Mehmeti dhe Valmir Lleshaj të jepej fjala përfundimtare nga palët në procedurë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Kjo pasi që trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Fatime Dermaku ka aprovuar propozimin e përfaqësueses së të dëmtuarve Tomislav dhe Bozhidar Arsiq, avokates Jovana Filipoviq që të ftohen për t’u dëgjuar edhe dy dëshmitarë.

Ashtu që seanca e radhës është caktuar për të nesërmen pra për 3 qershor 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Derisa gjykatësja Dermku ka thënë se me këta dëshmitarë prokuroria qysh në fazën e hetimeve ka mundur të procedojë pasi që kanë qenë të njohur qysh në kohën kur pretendohet se është kryer vepra penale dhe se gjykata në fund të gjykimit po duhet të bëjë hetime.

Fillimisht, gjykata palëve ua ka ofruar në shikim regjistrin origjinal të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega në Graçanicë me të cilin është vërtetuar autorizimi kritik i paraqitur si në seancat e kaluara, pasi që në seancën e 31 majit e njëjta kishte aprovuar propozimin e të akuzuarës Maksimoviq që gjykata zyrtarisht të shikojë këtë regjistër në lidhje me vërtetimin e dokumentit kritik.

Pas shikimit të regjistrit origjinal të Gjykatës në Gracanicë, nga palët, avokatja Filipoviq ka kërkuar nga gjykata që të ftohen dy dëshmitarët të cilët vëreheshin se kishin nënshkruar në atë regjistër.

“Meqenëse sot kemi pasur për herë të parë në shiqim regjistrin, propozoj që të dëgjohen dy dëshmitarët të cilët janë evidentuar si dëshmitarë të identitetit në librin e regjistrit, meqenëse për atë që nënshkrimet që gjinden në këtë libër dhe nënshkrimin që e kemi parë në letërnjoftimin e  Tomislavit nuk përputhen me njëri-tjetrin”, tha avokatja Filipoviq.

Ky propozim nuk është kundërshtuar nga Prokuroria, dhe as nga e akuzuara Maksimoviq.

“Nuk e kundërshtoj propozimin meqenëse ata janë dëshmitarë që e kanë nënshkruar”, tha e akuzuara Maksimoviq.

Ndërsa ky propozim është kundërshtuar nga mbrojtësi i të akuzuarit Lleshaj, avokati Afrim Salihu pasi që sipas tij është në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale.

“Nënshkrimi i falsifikuar nuk është objekt i aktit akuzues sot. Në këtë rast penalo-juridik kemi të bëjmë me legalizim të përmbajtjes së rreme e jo falsifikim të dokumenteve. Ka përfunduar pjesa e hetimit kur Prokuroria ka pasur mundësi deri në dy vite e gjysmë të bëjë hetime. Nën 2: Meqenëse palët, të pandehurit kanë dhënë deklaratat e tyre, tanimë jemi pranë fjalës përfundimtare, Kodi i Procedurës penale është i qartë, nuk lejohet në këtë stadë të procedurës kthim mbrapa”, tha ai.

Gjithashtu avokati Salihu ka shtuar se ky propozim nuk është në favorin e të dëmtuarve pasi që sipas tij ky  rast do të parashkruhet për afro një muaj me çka të dëmtuarit do ta humbasin rastin.

“Nuk e di a është në njohuri pala e dëmtuar  ose mbrojtësit e tyre apo unë duhet ta luaj rolin e tyre, që nëse vazhdon shtyrja pa kurrnifar arsyeje e këtyre seancave atëherë në afat prej një muaji e diçka jave vjen afati maksimal 10 vite i parashkrimit të kësaj vepre dhe që nënkupton se do ta humbni rastin. Kështu që iu propozoj që të shkojmë në fjalë përfundimtare dhe të mos vonohemi në seanca maratonike gjyqësore pa kurrfarë nevoje”, tha avokati.

Gjithashtu ky propozim është kundërshtuar nga i akuzuari Mehmeti pasi që sipas tij njëri nga dëshmitarët, H.V tashmë ka ndërruar jetë.

Trupi gjykues pas këshillimit dhe votimit ka aprovuar propozimin e përfaqësueses së palës së dëmtuar që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet A.V.

Anda e njëjta, fillimisht  ka obliguar palën e dëmtuar që të sigurojë adresat e dëshmitarëve dhe seancën e radhës e ka caktuar për 10 qershor.

Mirëpo, me këtë nuk është pajtuar i akuzuari Lleshaj i cili tha se më 6 qershor do të kthehej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku edhe jeton pasi që kishte menduar që sot do të përfundojë gjykimi duke shtuar se tashmë dy herë e ka shtyer të njëjtin udhëtim si pasojë e gjykimit.

“Që 8 muaj është t’u nejt prej Amerikës njeri, me punë e me krejt i ka hup për qeto seanca”, tha avokati Salihu.

“Të kuptojmë Valmir, nuk mundemi njërit me ja hup biletën për Amerikë, e dijmë që jeton në Amerikë dhe ju ke përgjigj çdo ftese të gjykatës dhe nuk është korrekt me të…, sepse këta dëshmitarë kanë qenë të njohur në kohën e kryerjes së veprës penale dhe këta prokuroria ka mund ti procedoj që atëherë, por neve po duhet në fund të seancës me bo hetime”, tha gjykatësja Dermaku.

Avokati Salihu ka propozuar që seanca të mbahet më 3 apo më 6 qershor, për të cilën gjykatësja Dermaku tha se është problem të gjindet dëshmitari për këtë periudhë kaq të shkurtër.

Më pas, pasi që i akuzuari Mehmeti ka pranuar se e njeh dëshmitarin A.V i njëjti ka kontaktuar përmes telefonit me të dhe ka njoftuar gjykatën lidhur me gatishmërinë e dëshmitarit  për t’u paraqitur në seancë.

Andaj seanca e radhës është caktuar për 3 qershor, ku gjykatësja Dermaku ka kërkuar nga i akuzuari Mehmeti ta lajmërojë dëshmitarin A.V për këtë seancë.

“Po, shkoj vet unë e marr”, tha i akuzuari Mehmeti në fund.

Ndryshe ky rast arrin parashkrimin absolut të ndjekjes penale në gusht të këtij viti.

Sipas aktakuzs së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 27 gusht 2018, Ismet Mehmeti akuzohet se ka shkuar në degën e ish-Gjykatës Komunale në Prishtinë – Dega në Graçanic, dhe më 16 gusht 2012, kishte paraqitur dhe vërtetuar autorizimin e falsifikuar për bartjen e paluajtshmërisë të të dëmtuarve, Tomisllav Arsiq dhe Bozhidar Arsiq. Paluajtshmria në fjalë, sipas aktakuzës, gjendet në zonën kadastrale “Zllatar”, Komuna e Prishtinës.

Tutje, sipas aktakuzës, të akuzuarit Ismet Mehmeti dhe Valmir Lleshaj, më 21 gusht 2012, kishin hartuar kontratën mbi shitblerjen e paluajtshmëris së lartcekur, me sipërfaqe prej 13271 m2, pronë e të dëmtuarve Arsiq, ashtu që të akuzuarit e kishin vënë në lajthim referentin për legalizim të dokumenteve për të vërtetuar një çështje të pavërtetë.

Në aktakuzë thuhet se ata e kishin vërtetuar kontratën në fjalë, me vlerë prej 9 mijë e 500 euro me autorizimin e lartcekur të falsifikuar, ku më pas, i akuzuari Lleshaj, më 7 shtator 2012, kishte paraqitur kërkesë për bartjen e kësaj paluajtshmërisë në emër të tij, duke vënë në lajthim edhe personat e autorizuar në Komunën e Prishtinës, ku edhe kishte arritur të bëj bartjen e paluajtshmërisë në fjalë, në emër të tij.

Me këto veprime të tyre, Mehmeti dhe Lleshaj akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”.

Kurse, dispozitivi i dytë i aktakuzës, e ngarkon Natasha Maksimoviq, se në cilësinë e personit zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, si referente në Gjykatën Komunale në Prishtinë, dega Graçanicë, më 16 gusht 2012, me vulë zyrtare e vërteton autorizimin e falsifikuar të paraqitur nga i akuzuari, Ismet Mehmeti.

Në bazë të këtij autorizimi që vërtetohet me numër, Vr.nr.4801/2012, sipas aktakuzës, vërtetohet pastaj edhe kontrata në vlerë prej 9 mijë e 500 euro mbi shitblerjen e papajtueshmërisë në sipërfaqe prej 13271 m2, pronë e të dëmtuarve Arsiq.

Me këtë rast, e akuzuara Maksimoviq, ngarkohet se ka kryer veprën penale, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë