DY MUAJ BURGIM DHE 800 EURO GJOBË PËR KULTIVIM TË LËNDËVE NARKOTIKE

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – I akuzuari Jetmir Guri, në seancën e mbajtur të hënën, ka pranuar se ka kryer veprën penale “prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve dhe substancave psikotropike”. Me këtë rast, i njëjti u shpall fajtor nga kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi, duke i’u shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej dy (2) muajsh dhe dënimi me gjobë në shumën prej 800 euro. Megjithatë, i akuzuari do të qëndroj vetëm 1 muaj në burg, pasi të njëjtit i është llogaritur edhe koha e qëndrimit në paraburgim, e që ishte prej 8 tetorit të vitit 2009 deri më 8 nëntor 2009.

Ish-Prokuroria Publike e Qarkut në Prishtinë ngarkonte të pandehurin Jetmir Guri se ka kryer veprën penale “prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve dhe substancave psikotropike”. Sipas aktakuzës, Jetmir Guri me datë 8 tetor 2009, në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Nikë në Kaçanik, me qëllim shitjeje pa autorizim ka kultivuar dhe përgatitur substance të rrezikshme dhe atë shtatë (7) rrënjë të bimëve të llojit Cannabis (Marihuana), të mbjellura në një serë dhe një sasi e fletëve të thara të bimëve të shpërndara anekënd dhomës së një shtëpie të pabanuar në kuadër të oborrit, me peshë të përgjithshme prej 313.29 gram. Në po të njejtën datë, rreth orës 11:45, zyrtarët policorë me rastin e kontrollimit të pronës dhe të shtëpisë kanë gjetur dhe sekuestruar lëndët e lartëpërmendura.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë