Dy hetues të DHKEK në Prishtinë po akuzohen për marrje ryshfeti, keqpërdorim detyre e armëmbajtje pa leje

prokuroria
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Korrik 24, 2020

Prishtinë – Prokuroria Themelore në Prishtinë, të premten, ka ngritur aktakuzë kundër hetuesve në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Prishtinë, L.O., dhe L.M., për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “marrja e ryshfetit”, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media të kësaj prokurorie, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Të pandehurit janë arrestuar më 5 shkurt 2020, pasi janë zënë në flagrancë gjatë kryerjes së veprave penale. Gjatë arrestimit te të pandehurit janë sekuestruar para rreth 15,000.00€ (pesëmbëdhjetë mijë euro), armë  dhe pajisje të ndryshme elektronike.”, thuhet në komunikatë.

Sipas të njëjtës, pas një hetimi të gjatë, të njëjtit janë arrestuar pasi që kanë shfrytëzuar pozitat e tyre si hetues në DHKEK dhe kanë pranuar ryshfet nga biznese të ndryshme.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, për veprat penale të cilat u vihen në barrë.”, përfundon komunikata. /BetimipërDrejtësi