Dy ekspertë deklarojnë se s’kishte mungesë të mjeteve financiare në degën e Postës në Podujevë, tjetri e thotë të kundërtën

Raporton: Lavdim MAKSHANA

Prishtinë- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është bërë ballafaqimi i ekspertëve Remzi Smajli, Riza Blakaj dhe Xhevdet Krasniqi lidhur me ekspertizat që ata i kanë përpiluar. Me këtë rast, ekspertët Smajli dhe Krasniqi deklaruarn se nuk kishte pasur mungesë të mjeteve financiare në degën e Postës në Podujevë, kurse eksperti Blakaj e tha të kundërtën.

Këto deklarime, tre ekspertët i bënë në seancën e shqyrtimit gjyqësor të premten, në rigjykimin ndaj ish–zyrtarit të Postës së Kosovës, Enver Ajeti, i cili po akuzohet për përvetësimin e 71 mijë e 744 eurove.

Ballafaqimi i ekspertëve Smajli, Blakaj dhe Krasniqi është bërë me qëllim që të eliminohen paqartësitë mes ekspertizave të përpiluara më parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Shkëlzen Ibrahimi se si kanë ardhur deri tek konstatimi i shumës së dëmit, gjegjësisht cilin dokumentacion e kanë marrë për bazë me rastin e hartimit te ekspertizave këta ekspertë, eksperti Xhevdet Krasniqi ka deklaruar se në ekspertizën e tij ka vërtetuar se nuk ka prova të mjaftueshme për të konstatuar dëmin e pretenduar.

Mirëpo, për një deklaratë të tillë ka reaguar prokurori Ibrahimi si dhe trupi gjykues, pasi sipas tyre eksperti Krasniqi në ekspertizën financiare ka paraqitur mungesat financiare, ndërsa tani po deklarohet se nuk ka dëm.

Lidhur më këtë, eksperti financiar Krasniqi ka thënë se mungesa e mjeteve në arkë të cilën e ka paraqitur në ekspertizë është mungesë e dhënë nga Posta dhe se sipas tij kjo ka mbetur si gabim teknik në ekspertizën e tij.

I pyetur nga prokurori Ibrahimi se pse në ekspertizë dhe në plotësim të saj, eksperti Krasniqi ka dhënë shumat e mungesës së mjeteve, i njëjti është përgjigjur se ka qenë shprehje e gabuar nga ana e tij dhe se sot ka të drejtë të ndryshojë mendje.

Lidhur me deklarimet e ekspertit financiar Krasnqi, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi ka thënë se deklarimi i Krasniqit është në kundërshtim të plotë me ekspertizën dhe plotësimin e ekspertizës së tij.

Lidhur me ekspertizën financiare është deklaruar edhe eksperti Remzi Smajli, i cili është deklaruar se qëndron pranë ekspertizës dhe plotësim-ekspertizës së tij.

Ai sikurse në seancën e kaluar edhe sot ka deklaruar se në degën e Postës së Kosovës në Podujevë, në periudhën kohore 26 prill deri më 2 maj 2013, nuk ka pasur mungesë të mjeteve financiare.

Por, ndryshe me dy ekspertët e parë është deklaruar eksperti financiar Riza Blakaj, i cili para trupit gjykues ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë ekspertizës së tij dhe deklarimeve të dhëna më herët.

Ai ka thënë se në ekspertizën e tij në pikën e Postës në Podujevë ka gjetur se ka mungesë të mjeteve financiare në totalin prej 71 mijë e 744 euro e 85 centë, duke përfshirë mungesën e produkteve dhe shërbimeve dhe po ashtu mungesën e dorëzimit të pazarit ditor.

Përfaqësuesi i Postës, Ragip Hoxha, shtroi pyetjen se çka ka ndodhur me shumën prej 35 mijë e 37 euro e 77 centë, pasi sipas tij eksperti Krasniqi po e përmend vetëm shumën 36 mië e 371 euro.

“Për Xhevdet Krasniqin e kam pyetjen, aktakuza e bën përgjegjës të akuzuarin Enver Ajeti për shumën e 71 mijë e 744 euro e 85 centë, ndërkaq ju sot deklaroni se Posta nuk është e dëmtuar për shumën e 36 mijë e 371 euro, po pjesa tjetër prej 35 mijë e 37 euro e 77 centë, ku ka mbetur”, pyeti Hoxha.

Lidhur me këtë, eksperti Krasniqi tha se ekspertiza është e bazuar në bazë të raportit të procesverbalit të komisionit sipas të cilit është konstatuar ngarkesa e arkës në shumën prej 89 mijë e 294 euro e 59 centë, ndërsa sipas të njëjtit raport është vërtetuar se në pikën postare janë gjetur produkte dhe pazare në vlerë prej 39 mijë e 394 euro e 44 centë dhe nga kjo sipas tij rezulton se Posta ka konstatuar mungesën e mjeteve.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Ajeti, avokatit Hamdi Podvorica, eksperti Krasniqi deklaroi se ka konstatuar të gjeturat sipas raportit të ekspertizës dhe se nuk ka gjetur prova me të cilat do të konstatohej se Posta është e dëmtuar.

Avokati Podvoriva, ka pasur vërejtje në pyetjet e prokurorit Ibrahmi dhe ka kërkuar nga gjykata që t’i përmbahen vendimit të Apelit.

Për shkak të përfundimi të orarit të punës, seanca është ndërprerë dhe e radhës është caktuar më 31 janar 2022, ku pritet të vazhdohet me ballafaqimin e ekspertëve.

Ky gjykim aktualisht kryesohet nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi, derisa paraprakisht ishte kryesuar nga gjykatësja Violeta Namani, kurse gjykatësi Vehbi Kashtanjeva, i cili e kishte gjykuar këtë rast herën e parë, është pensionuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në maj të viti 2018, e kishte dënuar me një vit burgim efektiv dhe 1 mijë euro gjobë ish-zyrtarin e Postës së Kosovës, Enver Ajeti, për veprën penale “Përvetësim në detyrë”. Po ashtu, i njëjti ishte obliguar që të paguante shpenzimet e procedurës.

Po ashtu, ai detyrohej që në bazë të kërkesës pasurore juridike, Postës së Kosovës t’i kompensonte shumën prej 36 mijë e 376 euro, e që realizmi i këtij kompensimi ishte udhëzuar të zhvillohet në kontest civil.

Mirëpo, sipas Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë përmbante shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke shtuar se gjykata ka dështuar të vërtetojë se sa ka qenë shuma e dëmit që i akuzuari Ajeti thuhet se e ka përvetësuar.

Sipas Apelit, ekspertizat e bëra nuk përputhen me njëra-tjetrën dhe janë kundërthënëse sepse nga tri ekspertiza paraqiten shifra të ndryshme sa i përket mosdeponimit të pazareve ditore në bankë.

Për këtë sipas Apelit, është dashur të bëhej një ekspertizë e re nga një institut i specializuar që të hiqen dilemat se cila realisht kishte qenë shuma e dëmit të shkaktuar.

Gjykata e Apelit e ka obliguar Gjykatën Themelore që të mënjanojë shkeljet esenciale dhe që për rastin të bëjë edhe një super- ekspertizë e më pas të merret vendimi për çështjen.

Ky proces gjyqësor, zhvillohet sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila e akuzon Enver Ajetin se në cilësinë e kontrollorit të degës së Postës së Kosovës në Podujevë, nuk i kishte dorëzuar në bankë për një periudhë kohore pazaret ditore, punë që duhej ta kryente duke qenë se ishte i ngarkuar me menaxhimin e të hyrave apo mjeteve financiare.

Sipas aktakuzës, pretendohet se Ajeti në bankë nuk i ka dorëzuar pazaret ditore, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe me këtë rast nga arka ka përvetësuar shumën prej 71 mijë e 744 euro, të cilën mungesë e ka zbuluar komisioni i kontrollës operative regjionale të Postës së Kosovës si dhe Koordinatorja e Financave të Postës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë