Dy azil kërkuesit në Kosovë pas pranimit të fajësisë për vjedhjen në Pejë, u dënuan me burgim dhe gjobë me kusht

20210216_104446
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Shkurt 16, 2021

Pejë- Gjykata e Pejës, të martën, i ka dënuar me nga tre muaj burgim dhe 200 euro gjobë me kusht, të akuzuarit për vjedhje të kryer në bashkëveprim, Jines Batazne dhe Hicham Alasili.

Aktgjykimi është shpallur nga gjyqtari Ahmet Rexhaj, menjëherë pas mbajtjes së seancës fillestare, në të cilën të akuzuarit të cilët janë azil kërkues në Kosovë, kanë deklaruar se janë fajtorë për veprën penale të vjedhjes të kryer në bashkëveprim.

Sipas të njëjtit në dënimin me burgim do të ju llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Sipas këtij aktgjykimi dënimi me gjobë ndaj të akuzuarve nuk do të ekzekutohet nëse të njëjtit nuk do të kryejnë ndonjë vepër tjetër penale brenda një viti.

Kurse të akuzuarit për shkak të kushteve të dobëta ekonomike, janë liruar nga pagesa e shpenzimeve procedurale.

Të njëjtëve, gjykata iu vazhdoi masën e paraburgimit, duke theksuar se të akuzuarit do të qëndrojnë në paraburgim,  por jo më shumë se dënimi shqiptuar me aktgjykim.

Në seancën fillestare, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Astrit Gashi dhe përkthimit të së njëjtës nga përkthyesi i angazhuar, Suliman Ktileh, i akuzuari Jines Batazne  dhe Hicham Alasili, janë deklaruar fajtorë për veprën penale të vjedhjes, të kryer në bashkëveprim.

I akuzuari Jines Batazne deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale që e ngarkon aktakuza dhe i njëjti shprehi keqardhje për veprën e kryer.

‘‘E pranoj fajësinë, kemi hi në veturë dhe pastaj i kemi marrë sendet që akuzohemi, paraprakisht qëllimi ka qenë me u strehu në veturë, por pastaj i kam kryer edhe veprimet që më shkruhen në akuzë’’, deklaroi i pandehuri Batazne.

Këtë pranim të fajësisë e ka mbështetur edhe mbrojtësi i tij sipas detyrës zyrtare, avokati Adem Gorani, i cili kërkoi nga gjykata që të mbrojturit të tij të i shqiptohet një dënim i butë, pasi që i njëjti është në gjendje të rëndë ekonomike, si dhe kërkoi që të i ndërpritet paraburgimi.

‘‘Propozojmë ndërprerjen e paraburgimit dhe në interesin e tyre personal është që ata sa më shpejtë të lajmërohen në qendrën e azilit dhe t’i realizojnë aspiratat e tyre për me shku në vendet perëndimore’’, ka propozuar avokati Gorani.

Gjithashtu edhe i akuzuari i dytë, Hicham Alasili, deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale që akuzohet, duke theksuar se fillimisht në makinë janë futur për strehim, e më pas i kanë marrë gjërat e cekura në akuzë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuari Alasili, e ka mbështetur edhe mbrojtësi i tij sipas detyrës zyrtare, avokati Abedin Ademi, i cili po ashtu kërkoi nga gjykata që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet masa e paraburgimit.

Pranimin e fajësisë nuk e kundërshtoi as prokurori Astrit Gashi, e më pas e aprovoi edhe gjyqtari Rexhaj.

Ndryshe prokurori Gashi, i propozoi gjykatës që të pandehurve të iu vazhdoi masën e paraburgimit.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, të akuzuarit Jines Batazne  dhe Hicham Alasili, akuzohen se më 20 janar 2021, në Qarshinë e Gjatë, në Pejë, me dashje dhe në bashkëveprim i kanë marrë pasurinë e të dëmtuarit Suad Kelmendi.

Në këtë dispozitiv thuhet se të pandehurit në natën kritike, e kishte kenë veturën e tipot ‘‘VË’’, në skaj të rrugës dhe të njëjtin nuk e kishte mbyllur, më pas të pandehurit përderisa ishin duke ecur rrugës, e vërejnë automjetin në fjalë, futen brenda tij dhe e marrin një telefon ‘‘Samsung S5’’, në vlerë prej 130  euro, dhe një palë syze të markës ‘‘Versaqi’’, në vlerë prej 270 euro.

Tutje thuhet se me të hyrë në veturë i dëmtuari, ka vërejtur se i mungojnë gjësendet dhe më pas ka shkuar tek butiku i Enes Gjikoliit dhe në video incizim i ka identifikuar të pandehurit  për çka i ka lajmëruar edhe hetuesit policor, të cilët më pas i kanë gjetur dhe rrestuar të akuzuarit, me ç’ rast tek i pandehuri Hicham, janë gjetur dhe konfiskuar syzet e të dëmtuarit.

Për këto veprime të pandehurit akuzohen për veprën penale ‘‘Vjedhje’’, të kryer në bashkëveprim, nga neni 313 par. 1, lidhur me nenin 31 të KRPK-së. /BetimipërDrejtësi