DREJTUESIT E AGJENCIONIT KOSOVAR TË AKREDIMIT TË AKUZUAR PËR KORRUPSION DEKLAROHEN TË PAFAJSHËM

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka vazhduar gjykimi ndaj drejtuesve të Agjencionit Kosovar të Akredimit, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Të njëjtit u deklaruan të pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohen. Mbrojtësit e të akuzuarve në fjalën hyrëse deklaruan se përshkrimi i aktakuzës nuk përmban bazë të arsyeshme të kryerjes së veprave penale. Përderisa prokurori i çështjes Abdurrahim Islami deklaroi se duke u mbështetur në prova dhe faktet e parashtruara në aktakuzë, do të vërtetohet fajësia e të pandehurve.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon Basri Mujën, Ferdije Zhushi – Etemin dhe Armend Mujën për shpërdorim të pozitës zyrtare, me pretendimin se i kanë shkaktuar dëm në shumën prej 2,500.000 euro, kolegjit “Biomedica” për akreditimin e katër programeve. Tutje i akuzuari Basri Muja për mos tërheqje të akreditimit për kolegjin në fjalë, ka kërkuar 50.000.00 euro për vitin e parë, 150.000.00 për vitin e dytë, ndërsa për vitin e tretë 50:50 nga fitimi. Të pandehurit Basri Muja dhe Ferdije Zhushi tutje pretendohet se i kanë shkaktuar dëm edhe Kolegjit “ISPE”, në atë mënyrë që kanë kërkuar përfitim me të holla për akreditimin e programeve. Në fillim kanë kërkuar përfitim prej 10.000.00 euro për një program, ndërkaq gjatë vitit 2011 kanë kërkuar shumën prej 20.000.00 eurove. Më pas të njëjtit në bashkëkryerje ngarkohen edhe për marrje ryshfeti, meqenëse për akreditimin e programeve të Kolegjit “Universum” kanë përfitu shumën prej 35.000.00 euro.

Aktakuza e ngarkon edhe të pandehurin Naim Braha aksionar në Kolegjin “Vizioni për arsim” në Ferizaj, për dhënie ryshfeti, pasi që për akreditimin e dy programeve i  ka dhënë 10.000.00 euro të pandehurit Basri Mujës

Kryetarja e trupit gjykues Valbona Musliu – Selimaj, njoftoi se prokurori paraprak i kësaj çështje penale Suad Kuraja, ka hequr dorë nga dispozitivi i parë i aktakuzës, për shkak të parashkrimit absolut të veprës penale.

Procesi gjyqësor vazhdoi me fjalën hyrëse të prokurorit Islami, i cili deklaroi se në shqyrtimet e radhës do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale të lartë përmendura, gjithmonë duke u bazuar ne provat dhe faktet e cekura në aktakuzë. Ai tha se në bazë të deklaratave të të dëmtuarve që njëkohësisht cilësohen edhe si dëshmitarë, do të vërtetohen elementet e veprave penale të cilat i’u vihen në barrë të akuzuarve.

I dëmtuari – dëshmitari Avni Mazreku, pronar i Kolegjit IPSE, si dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Kolegjit Universum, avokati Korab Rexhepi deklaruan mbështetjen në tërësi të fjalës hyrëse të prokurorit Islami, si dhe deklaruan se do të parashtrojnë kërkesën pasurore – juridike.

Mbrojtësi i të akuzuarit Basri Muja, avokati Bajram Tmava i’a dorëzoj gjykatës fjalën hyrëse të përgatitur me shkrim, si dhe bëri të ditur se gjatë seancave në vijim do të paraqesin një numër të madh të provave. Ai tutje shtoi se varësisht nga rrjedha e këtij gjykimi do të angazhojnë edhe ndonjë ekspert ndërkombëtar.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ferdije Zhushi – Etemi, avokati Gëzim Kollqaku, kritikoi prokurorin paraprak të kësaj çështje Kurajën, me arsyetimin se nuk i ka lexuar provat lidhur me të mbrojturën e tij, për shkak se të njëjtat tregojnë pafajësinë e saj. Kollqaku kërkoi nga gjykata që të administrohen si prova materiale, Ligji i Arsimit të Lartë si dhe Rregullorja për punën e Këshillit Kombtar. Ai poashtu propozoi që gjatë këtij shqyrtimi të vijnë në cilësinë e dëshmitarëve edhe tetë anëtarët e tjerë të bordit të cilët kanë marrë pjesë në anulimin e akreditimit të Kolegjit Ispe dhe Universum.

I akuzuari Armend Muja në fjalën hyrëse deklaroi se supozon se është arritur parashkrimi absolut i veprës penale “marrje ryshfeti” në dispozitivin e gjashtë të aktakuzës, ku i njëjti akuzohet së bashku me Basri Mujën dhe Ferdije Zhushi – Etemin. Poashtu ai shtoi se pretendimet e prokurorit janë të pa bazuara, pasi që njëri nga dëshmitarët e marrë në pyetje në prokurori, ka deklaruar se Muja nuk ka dhënë ryshfet. Përveç kësaj ai gjithashtu tha se përfitimi i pesë mijë eurove në xhirrollogarinë e tij bankare ka rezultuar i pa saktë pas një vit hetimi.

Ndërkaq mbrojtësi i të akuzuarit Naim Braha, avokati Ibrahim Dobruna deklaroi se dokumentet dhe provat e prokurorisë i cilëson të papranueshme pasi që të njëjtat i japin një gjendje të paqëndrueshme aktakuzës. Ai shtoi se këtë konstatim do ta vërtetojnë në mënyrë eksplicite pasi që asnjëra nga provat e cekura në aktakuzë nuk përkojnë me veprimet e të mbrojturit të tij.

Dobruna tutje deklaroi se të gjitha provat e propozuara për të mbrojturin e tij janë në kundërshtim me dispozitat ligjore si dhe janë të paartikulueshme. Ndërsa sa i përket deklaratave të dëshmitarëve, ai tha se të njëjtat janë me prejardhje të dyshimtë të cilat bazohen në thashetheme të pavërteta.

Pas fjalës hyrëse të paraqitur nga të gjitha palët, me propozim të avokatëve dhe të të akuzuarve, gjykata vendosi që të mos vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarit Avni Mazreku, pasi që për të njëjtin nuk janë prezent avokatët e tij mbrojtës. Andaj gjykata caktoi seancën e radhës më 15 shtator 2016.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë