Drejtori i urbanizmit në Gjakovë mbrohet në heshtje në lidhje me akuzat për keqpërdorim detyre

Arben Bakalli etj foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Prill 29, 2021

Gjakovë – Të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ka vazhduar gjykimi në rastin ku drejtori i urbanizmit në Komunën e Gjakovës, Arben Bakalli dhe ish-arkitekti, tash bashkëpunëtori profesional në këtë drejtori, Agron Gojani, po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Sipas aktakuzës, Gojani po akuzohet se kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, ndërsa Bakalli se ka nënshkruar dhe lëshuar vendimin për të ndërtuar në kompleksin Orize në Gjakovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë seancë, i akuzuari Bakalli deklaroi se pas konsultimit me mbrojtësin e tij, avokatin Arbër Guta, ka vendosur që të mbrohet në heshtje.

Ndërsa, fillimisht në këtë seancë, i akuzuari Gojani ka dhënë mbrojtjen e tij.

I njëjti duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Meshari Selimaj, deklaroi se me profesion është arkitekt dhe se është i emëruar në drejtorinë e urbanizimit si bashkëpunëtor professional.

E duke u përgjigjur në pyetjen se meqenëse ai është në dijeni për rastin për të cilin akuzohet se si është njohur me lëndën e familjes Bakija, dëshmitari tha se fillimisht këtë lëndë e ka trajtuar një bashkëpunëtore tjetër profesionale.

“Paraprakisht lënda ka qenë e trajtuar nga një kolege e imja, në fakt dy kërkesa të mëhershme dhe në rastin e kërkesës së tretë pas diskutimeve brenda shërbimit urbanistik jemi dakorduar që për këtë pjesë të fundit të tretë ta trajtojë unë, ta marrë unë përsipër, për shkak se ka pasur disa arsye dhe është menduar se në kërkesat paraprake nuk është trajtuar procedura zyrtare e trajtimit të atyre lëndëve. Gjatë konsultimeve brenda shërbimit urbanistik me gjithë stafin kemi ardhë në përfundim se trajtimi i dy kërkesave të mëparshme ka pasur mangësi dhe nuk është kryer në mënyrë të drejtë, këtu nënkupton se nuk janë marrë parasysh elementet e gjendjes faktike d.m.th elementet e situatës së krijuar në vend si dhe nuk është mbështetur në vendimin e fundit në fuqi që i takon asaj zone konform të cilës është dashur të trajtohet lënda, pra kur them për vendimin e kam fjalën për vendimin mbi shpalljen e interesit publik të asaj zone, pra e ka kuptimin e realizimit të rreth rrotullimit dhe shpërthimit të rrugës nëpër pronën e familjes Bakija, konkretisht rrugës “Bujar Roka”, deklaroi i akuzuari Gojani.

Ai tha se në lidhje me rastin konkret është bazuar në planin zhvillimor urban.

“Saktësisht jam bazuar në planin zhvillimor urban sipas të cilit është i përcaktuar destinimi, kategorizimi dhe etazhiteti për lokacionin aktual që do të thotë, kushtet e dhëna ndërtimore dhe lokacioni përputhet strikt sipas këtij plani zhvillimore urban. Sipas atij plani është i paraparë ndërtim i lartë me etazhitet më të lartë në kuadër të zonës urbane që do të thotë mbi tetë etazhe, meqenëse lokacioni aktual shtrihet në arterien kryesore të qytetit dhe në këtë formë trajtohet si qendër e ngushtë e qytetit”, deklaroi i akuzuari Gojani.

Lidhur me deklarimin se paraprakisht familjes Bakija i janë refuzuar dy kërkesa, prokurori Ramiz Buzhala e pyeti atë se a i janë bashkëngjitur kërkesës së tretë dokumente shtesë nga dy kërkesat e mëparshme dhe nëse po cilat kanë qenë ato dokumente.

“Kërkesat paraprake nuk janë refuzuar zyrtarisht por kanë pasur një përgjigje negative në lidhje me ato kërkesa. Me siguri që po tani saktësisht nuk më kujtohet të gjitha detajet por në atë kohë e di se përveç të tjerave aplikuesi është obliguar dhe e ka kryer obligimin për të gjitha kërkesat që i kam bërë unë si urbanist”, deklaroi i akuzuari.

“Sipas planit urbanistik zona te familjes Bakija a është e paraparë sipas planit te revidimit komplet zonë gjelbëruese”, ishte pyetja e radhës e prokurorit, për të cilën i akuzuari tha se revidimi e ka trajtuar si zonë gjelbëruese deri para arritjes së marrëveshjes dhe vendimit për shpalljen e interesit publik.

“Përgjigja është po, e kam cek edhe më parë, i njëjti revidim e ka trajtuar parcelën e familjes Bakija komplet si zonë gjelbëruese, këtu fjala është për parcelat që kanë pasur formë dhe sipërfaqe tjetër para arritjes së marrëveshjes dhe vendimit për shpalljen e interesit publik”, tha i akuzuari.

E kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Bajraktari e pyeti të akuzuarin se në mes të kujt ka qenë dakordimi që ta marrë lëndën ai për ta trajtuar, për çka, i akuzuari tha se nuk i kujtohet saktësisht por se sipas rutinës paraprake brenda stafit të shërbimit urbanistik.

Seanca e radhës ku pritet të jepen fjalët përfundimtare është caktuar që të mbahet më 27 maj 2021, në ora 14:00.

Ndryshe, dy të akuzuarit e lartpërmendur ishin deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 18 qershor 2020, Agron Gojani po akuzohet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, arkitekt në Drejtorinë për Urbanizëm në Komunën e Gjakovës ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të sjellë dobi pasurore për Teuta Bakija, si dhe t’i shkaktojë dëm Komunës së Gjakovës.

Siç thuhet në aktakuzë, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim dhe Udhëzimin Administrativ 06/2017, me të cilin edhe pse paraprakisht i kërkohej bashkimi i parcelave para fillimit të procedurave për leje ndërtimi, i akuzuari ka aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, duke lëshuar vendim me të cilin ka aprovuar kërkesën për ndërtimin e objektit kolektiv me etazhitet B+P+8+KSH në gjashtë parcela kadastrale të familjes Bakija, në kundërshtim me planin urbanistik “Revidimi i Kompleksit Orize1/18 Gjakovë” të miratuar nga Kuvendi Komunal në Gjakovë, ku në këtë zonë sipas projektit të komunës ishte e paraparë të jetë zonë gjelbëruese gjatë gjithë segmentit rrugor deri tek tyrbja Shen Shefqeti.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi.1 pika 2.1 të KPRK-së.

Tutje sipas aktakuzës, i akuzuari Arben Bakalli po akuzohet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e Drejtorit në Drejtorinë për Urbanizëm Gjakovës ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të sjellë dobi pasurore për Teuta Bakija, si dhe t’i shkaktojë dëm Komunës së Gjakovës.

Siç thuhet në aktakuzë, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, pasi ka nënshkruar vendim mbi kushtet ndërtimore sipas kërkesës së datës 29.12.2017 për ndërtimin e objektit kolektiv të lartcekur dhe më 28 mars 2018 lëshon vendimin për leje ndërtimore në kundërshtim me planin urbanistik.

Për këtë , ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi. 1 pika 2.1. /BetimipërDrejtësi