Drejtori i Urbanizmit në Gjakovë dhe bashkëpunëtori në këtë drejtori mohojnë fajësinë për keqpërdorim detyre

Agrron Gojani etj foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Korrik 20, 2020

Gjakovë- Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Gjakovës, Arben Bakalli, dhe ish-arkitekti, tash bashkëpunëtori profesional në këtë drejtori, Agron Gojani, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, Gojani po akuzohet se kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, ndërsa Bakalli se ka nënshkruar dhe lëshuar vendimin për të ndërtuar në kompleksin Orize në Gjakovë.

Në seancën fillestare të mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, të akuzuarit Bakalli dhe Gojani deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Meqenëse të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë, gjykatësi Mentor Bajraktari deklaroi se shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet, derisa i njoftoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, avokatët Meshari Selimaj dhe Ergjyment Barbullushi se brenda afatit prej 30 ditësh kanë të drejtë të dorëzojnë me shkrim kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 18 qershor 2020, Agron Gojani po akuzohet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, arkitekt në Drejtorinë për Urbanizëm në Komunën e Gjakovës ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të sjellë dobi pasurore për Teuta Bakija, si dhe t’i shkaktojë dëm Komunës së Gjakovës.

Siç thuhet në aktakuzë, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin pë Ndërtim dhe Udhëzimin Administrativ 06/2017, me të cilin edhe pse paraprakisht i kërkohej bashkimi i parcelave para fillimit të procedurave për leje ndërtimi, i akuzuari ka aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, duke lëshuar vendim me të cilin ka aprovuar kërkesën për ndërtimin e objektit kolektiv me etazhitet B+P+8+KSH në gjashtë parcela kadastrale të familjes Bakija, në kundërshtim ne planin urbanistik “Revidimi i Kompleksit Orize1/18 Gjakovë” të miratuar nga Kuvendi Komunal në Gjakovë, ku në këtë zonë sipas projektit të komunës ishte e paraparë të jetë zonë gjelbëruese gjatë gjithë segmentit rrugor deri tek tyrbja Shen Shefqeti.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi.1 pika 2.1 të KPRK-së.

Tutje sipas aktakuzës, i akuzuari Arben Bakalli po akuzohet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e Drejtorit në Drejtorinë për Urbanizëm Gjakovës ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të sjellë dobi pasurore për Teuta Bakija, si dhe t’i shkaktojë dëm Komunës së Gjakovës.

Siç thuhet në aktakuzë, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin pë Ndërtim, pasi ka nënshkruar vendim mbi kushtet ndërtimore sipas kërkesës së datës 29.12.2017 për ndërtimin e objektit kolektiv të lartcekur, dhe më 28 mars 2018 lëshon vendimin për leje ndërtimore në kundërshtim me planin urbanistik.

Për këtë , ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi. 1 pika 2.1. /BetimipërDrejtësi