Drejtori i pylltarisë për rajonin e Mitrovicës dënohet me 300 euro gjobë për mos raportim të pasurisë

Mitrovice
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Shtator 8, 2020

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, të martën, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 300 euro gjobë drejtorin e pylltarisë për rajonin e Mitrovicës, Agim Dervishaj, për mos raportim të pasurisë.

Gjobën i pandehuri Dervishaj është i obliguar ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në rast se dështon të paguajë gjobën prej 300 euro, dënimi do t`i zëvendësohet me burgim.

Po ashtu, i pandehuri është obliguar edhe me shpenzime procedurale në shumën prej 30 euro.

Këtë vendim e ka shpallur gjykatësja Lidija Vuqoreviq, pasi paraprakisht në shqyrtimin fillestar i pandehuri e ka pranuar fajësinë.

Prokurorja Jagodinka Nikoliq i ka propozuar gjykatës që ta aprovojë pranimin e fajësisë nga i akuzuari dhe ta merr si rrethanë lehtësuese.

Po ashtu, mbrojtësja me autorizim e të pandehurit, avokatja Shqipe Mehmeti, e ka mbështetur pranimin e fajësisë dhe i ka propozuar gjykatës që ta aprovojë atë.

“I propozoj gjykatës që ta ketë parasysh pranimin e  fajësisë si rrethanë lehtësuese dhe se i njëjti është hera e parë që ka ra ndesh me ligjin. Nuk ka pas për qëllim që t`i ikë deklaratës së pasurisë pasi që çdo vit deklarimin  në rregull, ku i njëjti për shkak të punës së tij”, ka thënë Mehmeti.

Gjykatësja Vuqoreviq gjithashtu e njoftuar palët në të drejtën e tyre në ankesë brenda afatit ligjor.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me 22 qershor 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Agim Dervishajt, me arsyetimin se në periudhën kohore 1 – 31 mars 2019, në Mitrovicë, në cilësinë e udhëheqësit rajonal të drejtorisë së koordinimit në Mitrovicë – Agjencionit Pyjor të Kosovës, si zyrtar i lartë, ka qenë i obliguar që Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) t`ia raportoj pronën, të ardhurat, dhuratat dhe përfitimin tjetër, të dobisë ose obligimeve financiare në afatin në fjalë për vitin paraprak prej 1 janar – 31 dhjetor 2019, në afatin në fjalë, por i njëjti nuk kishte raportuar pronën e tij në afatin e paraparë, por kishte e bërë me vonesë, me 2 prill 2019.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiere”, nga neni 430, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi