Drejtori i Policisë: Nuk kemi asnjë të dhënë që na çon në një akt terrorist, mund të ketë më shumë se një të dyshuar

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka thënë se hetimet lidhur me rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan janë në fazën fillestare dhe mund të ketë më shumë se një të dyshuar, ndërsa shtoi se për momentin nuk kanë asnjë të dhënë që sulmi i mbrëmshëm mund të jetë akt terrorist apo që lidhet me çështje të religjionit.

Këtë deklarim, Mehmeti e bëri në një konferencë për medie, ku shtoi se ekzaminimi i provave teknike kërkon kohë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ekzaminimi i provove teknike kërkon kohë dhe ekspertizë në mënyrë që të kemi hartografinë e lëvizjes së personit apo personave. Është duke u pastruar terreni, krehja e terrenit nënkupton të shikohet çdo vend për rreth. Deri në këtë moment nuk e kemi asnjë të dhënë që shkon nga akti terrorist apo akti që lidhet me çështje religjioze”, tha ai.

Mehmeti theksoi se Policia e Kosovës aktualisht është duke bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, ku përmendi se moti me shi ua ka vështirësuar punën në terren.

“Aktualisht Policia e Kosovës është duke bërë ekzaminimin në vendin e ngjarjes dhe shiqimin e terrenit, ose pjesët anësore, ato pjesë që mund të ketë ndonjë provë shtesë. Fatkeqësisht moti na e ka pamundësuar që disa mjete t’i përdorim, pastrimi i terrenit të fillojë pak me vonesë”, shtoi Mehmeti.

Drejtori i Policisë theksoi se po përballen me numër të konsiderueshëm të informacionit, por që deri tani kanë dy-tri pista të hetimit.

“Jemi duke u përballur me numër të konsiderueshëm dhe informacione rreth rastit, kemi sjellë ekspertë të ndryshëm, të disa niveleve që të bëjmë ekzaminim të provove. Aktualisht mund të flasim për një sistem të diku dy ose tri pista të mundshme hetimi, të gjitha informacionet qojnë në këto drejtim, pra aktualisht po kemi të bëjmë me një person por, që mund të ketë të përfshirë edhe persona të tjerë. Jemi në ekzaminim të provova të ndryshme, që të dimë nga ka ardhë, ku ka qëndruar dhe nga ka shkuar”, tha Mehmeti para medieve.

“Kemi sjellë njësi shtesë dhe kemi sjellë ekspertë të ndryshëm të niveleve të ndryshme operative hetimore, që t’i trajtojnë këto informacione dhe të bëjnë ekzaminimin sa më të shpejtë të evidencave dhe provave që i kemi gjetur në vendin e ngjarjes ose që mund të gjenden gjatë pastrimit të vendit të ngjarjes, gjatë shiqimit të detajuar të vendit të ngjarjes dhe rrethinave”, tha Mehmeti.

Ndërsa, sa i përket motiveve që kanë mundur të sjellin deri tek akti i vrasjes së tre personave, ai tha se janë duke shikuar çdo informacion me shumë kujdes dhe se mund të jenë dy-tri motive, por që tani janë duke i përpunuar të gjitha informacionet dhe se është herët për të thënë se cili është motivi. /BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë