Drejtori i “Kosova Thëngjilli” thotë se dëmi që i është shkaktuar shoqërisë aksionare është rreth 350 mijë euro

Medina
Author

Raporton: Medina KADRIU

Korrik 17, 2018

Prishtinë – Drejtori aktual i Shoqërisë Aksionare “Kosova Thëngjilli”, njëherësh ish-anëtar i bordit ka deklaruar se dëmi që i është shkaktuar kësaj shoqërie aksionare është në shumë prej 342.350 euro.

Këtë deklarim, ai e ka bërë në seancën e së martës në gjykimin që po zhvillohet ndaj ish-kryetarit të bordit të “Kosova Thëngjilli”, Tahir Zeneli.

Sipas aktakuzës, Tahir Zeneli më 17 mars 2010, si person zyrtar ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Pollogu”, në kundërshtim me vendimin e Bordit të Sh.A. “Kosova Thëngjill”.

Prokuroria pretendon se me veprimet e tij, i akuzuari i ka shkaktuar humbje materiale Shoqërisë Aksionare “Kosova Thëngjill”, në shumën prej 130.971,84 euro.

Prokurori i rastit, Naim Abazi, ka thënë se në deklaratën e dëshmitarit të dhënë në polici dhe prokurori, i njëjti ka konsideruar që gjatë zbatimit të kontratës ka pasur keqpërdorime.

Lidhur me këtë, dëshmitari ka thënë që vendimi që është marr nga ana e bordit nuk është zbatuar në kontratë dhe kjo sipas tij, automatikisht përbën shkelje.

Për këtë çështje, avokati mbrojtës i të akuzuarit, Ibrahim Dobruna, ka lexuar një pjesë të deklaratës së dëshmitarit në polici ku kur është pyetur se a ka pasur keqpërdorime, i njëjti kishte deklaruar “Zyrtarisht nuk mundem ta vërtetoj, dyshime ekzistojnë”.

Avokati Dobruna ka pyetur dëshmitarin se a ka dokumente zyrtare dhe prova që e mbështesin një deklaratë të tillë.

“Kanë ekzistuar dyshimet për keqpërdorime, me rastin e lidhjes së kontratës me kompaninë Pollolgu për arsye se bordi drejtues me rastin e vendosjes për kriteret e lidhjes se kontratës në vendim qartësisht ka theksuar se kontrata duhet të përpilohet në mënyrë profesionale juridikisht dhe ekonomikisht e qëndrueshme dhe të precizohen të gjitha modalitetet dhe specifikat e natyrës së kontratës”, ka thënë dëshmitari.

Tutje, ai ka thënë se nëse do të angazhohej një ekspert financiar që do të merrej me vlerësimin e dëmit të shkaktuar nga kompania “Pollogu”, konsideron se do të arrihej të vërtetohej se dëmi i shkaktuar është në lartësi 342.350 euro dhe kjo sipas tij, bazuar në kartelën financiare ku shihet se cila është sasia e shitjes dhe diferenca në çmim dhe në bazë të kësaj evidence financiare është shuma që ai theksoi.

Ai deklaroi se nuk i kujtohet se a është filluar ndonjë procedurë për inkasimin e borxhit të kompanisë “Pollogu”

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Naim Abazi, ai ka deklaruar se në periudhën kur ka qenë anëtar i bordit, drejtor menaxhues dhe udhëheqës i bordit ka qenë i akuzuari Tahir Zeneli.

Ai ka deklaruar se nuk e din se cilat kanë qenë kriteret e përcaktuara bazë për marrjen e vendimit për nënshkrimin e kontratës dhe se përgjegjës për lidhjen e kontratës ka qenë Tahir Zeneli.

“Çmimi zyrtar për një ton të thëngjillit ka qenë 38.30 euro, ndërsa sipas një projekti që është bërë në INKOS ndërmarrja “Pollogu” kishte obligim të kryente investime në vlerën e mjeteve që zbriten nga tonelata e thëngjillit prej çmimit zyrtar. Ashtu që çmimi zyrtar pritej të zbritjes 29.95 euro për ton”, ka thënë ai.

Tutje, ai tha se në bazë të kontratës së nënshkruar “Pollogu” ka qenë e obliguar 6.53 euro për ton, e sipas tij, këto investime gjithmonë sipas investimeve të “INKOS” nuk janë realizuar asnjëherë.

“Në cilësinë e anëtarit të bordit a është prezantuar paraprakisht draft kontrata apo jeni njoftuar kur kontrata ka marr formën e prerë? “, ishte pyetja e prokurorit Abazi.

“Shumë ma vonë se kur ka marr formën e prerë”, është përgjigjur dëshmitari.

“Sipas kontratës të sipërpërmendur  në pyetjen e prokurorit ju jeni përgjigjur se vendimi i bordit ka përmbajtur kriterin e çmimit prej 31.30 euro dhe kriterin shtesë prej 6.53 për ton në emër të investimeve, ndërkaq në pyetjen e fundit nga i autorizuari i palës së dëmtuar jeni përgjigjur se nuk kam njohuri për shumën 1.80 euro, a është përfshirë edhe rabati?”, ka pyetur dëshmitarin Ibrahim Dobruna.

Dëshmitari i ka prezantuar një dokument trupit gjykues dhe u ka thënë se kontrata është bërë në bazë të atij dokumenti.

Ai ka thënë se kur është marr vendim në bord drejtues kanë qenë të gjithë anëtarët, kurse ka thënë se nuk e din kush e ka nënshkruar kontratën e as kush ka qenë prezent në momentin e nënshkrimit të saj.

Ai ka deklaruar se vendimet në bord janë marr me shumicë votash.

I akuzuari Tahir Zeneli, e ka pyetur se a janë autorizuar nga bordi ai dhe Agim Grajçevci për të biseduar me kompaninë “ Pollogu”.

“Kam qenë kundërshtar me ngulm i kësaj kontratë, nuk më kujtohet a kemi biseduar për këtë autorizim”, u përgjigj ai.

Tutje, i akuzuari Zeneli e ka pyetur dëshmitarin se a është ngritur çështja e kontratës në bord drejtues.

“Çështja e kësaj kontrate është ngritur në bord dhe me vendim të bordit në vitin 2011 është ndaluar veprimtaria e kësaj kompanie, si pasojë Kosova Thëngjilli është mbyllur  për 1 vit dhe humbjen shoqërore përmbi  5 milion euro”, ka thënë dëshmitari.

Ai tutje ka thënë se  më vonë kjo kompani ka gjetur treg në Serbi dhe ka angazhuar një kompani tjetër, ku ka qenë pronar djali i pronarit të kompanisë “Pollogu” i cili ka filluar që thëngjillin ta bart në Serbi me çmimin 29.95 euro, ashtu që ka tërhequr 250 ton.

Kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi, ka pyetur dëshmitarin se a ka njohuri për kompaninë “Pollogu” dhe themeluesin e saj, Hajat Banica.

Dëshmitari është përgjigjur duke thënë se këtu përfundon dëshmia e tij, për çka prokurori Abazi i ka përkujtuar se duhet ta tregojv të vërtetën.

Mirëpo, gjykatësi Ibrahimi ka thënë se nuk është i detyruar të përgjigjet meqenëse pyetja e tij është përtej objektit të akuzës dhe të njëjtën e ka bërë për shkak të kureshtjes, pasi që i janë dukur interesant disa rrethana që i ka parë në shkresa të lëndës.

Ndërsa, ai tha se prokuroria nëse ka interes mund të merret më tutje me këtë çështje, mirëpo dëshmitari në këtë pyetje nuk është i obliguar të përgjigjet para trupit gjykues.

Tutje, dëshmitari është përgjigjur në pyetjet e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Naser Foniqi.

Ai ka deklaruar se shuma prej 6.53 euro për ton ka qenë e paraparë të investohet në blerjen e shiritave transportues dhe ndërtimin e tyre si dhe elektromotorët e pajisje tjetër.

“Megjithatë, kushtet për realizimin e këtyre investimeve nuk kanë qenë të afatizuara”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar edhe për mbledhjet ku është diskutuar për lidhjen e kësaj kontrate.

“Mbledhjet kur është diskutuar për çështjet e bashkëpunimit me kompaninë Pollogu kanë qenë të rënda kanë zgjatur tre ditë sepse është vendosur për fatin e ndërmarrjes dhe zgjedhja që është pranuar sipas dokumentit me numër 433 është një kompromis i dhimbshëm, gjë që kontrata nuk i është përmbajtur as këtij kompromisi”, ka thënë ai.

Sipas tij, në kontratë nuk janë precizuar afatet.

“Në kontratë nuk janë të precizuara afatet, është dashur të jepen 100 mijë euro avance gjë që ka rezultuar ndryshe sepse kompania ka mbetur me borxh”, ka thënë ai.

“Kushti për  vazhdim të bashkëpunimit me kompaninë Pollogu ka qenë që të paguajnë borxhin, dhe në një rast kur kemi biseduar me këtë çështje është thënë” shikoje këtë person afër  po kërkon edhe pare”. Kur është thënë kjo kam qenë me Isak Shalën dhe Agim Grajçevci.”, vazhdoi duke thënë ai.

Ai ka thënë në një moment gjatë dëshmisë së tij se ai nuk e din se a ka faj i akuzuari Tahir Zeneli.

Prokurori Naim Abazi, ka informuar trupin gjykues se është siguruar ekspertiza financiare e datës 29 nëntor 2014 nga eksperti i pavarur gjyqësor Mentor Prekazi, i cili është caktuar në bazë të vendimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka propozuar që e njëjta në këtë çështje penale të administrohet si provë në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor.

Ai ka thënë se heq dorë nga dëgjimi i dëshmitarëve të tjerë sepse konsideron se me dëgjimin e dëshmitarëve që janë dëgjuar deri më tash është vërtetuar çështja.

Mirëpo, avokati Ibrahim Dobruna ka konsideruar se dëshmitarët Iliriana Pallaska dhe Agim Grajçevci  që kanë qenë anëtarë të bordit që janë në listë të dëshmitarëve të ftohen, pasi sipas tij. dëshmia e tyre e është e nevojshme dhe rëndësishme.

“Gjykata ka tentuar në mënyrë të rregullt ta ftojë Iliriana Pallaska por fletëkthesa është kthyer me vërejtjen që nuk gjendet në adresën e theksuar”, ka thënë gjykatësi Ibrahimi.

Kurse, dëshmitari Hamit Leci e ka njoftuar gjykatën se sa ka njohuri e njëjta gjendet në Amerikë dhe prezenca e saj në shqyrtim gjyqësor nuk është e sigurt.

“Lidhur me sigurimin e kësaj dëshmitareje gjykata do të tentojë ta thërras sërish në mënyrë të rregullt dhe në rast se nuk sigurohet prezenca e saj do të vendoset gjatë shqyrtimit gjyqësor”.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet më 19 shtator , ora 9:30

Sipas aktakuzës, Tahir Zeneli më 17 mars 2010, si person zyrtar ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Pollogu”, në kundërshtim me vendimin e Bordit të Sh.A. “Kosova Thëngjill”.

Prokuroria pretendon se me veprimet e veta, i akuzuari i ka shkaktuar humbje materiale Shoqërisë Aksionare “Kosova Thëngjill” në shumën prej 130.971,84 euro.